Lajme

Hoti përplaset me deputetet opozitare: Ju nuk e keni hallin te policët, por si të shahet qeveria

Kryeministri Avdullah Hoti është përplasur verbalisht me deputeten e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku-Mulhaxha dhe atë të PDK-së, Ganimete Musliu.

Derisa Mulhaxha dhe Musliu kanë kërkuar kushte më të mira për policinë, Hoti ka thënë se halli i tyre është diku tjetër.

“Ju nuk e keni hallin te policët por si të shahet kjo qeveri, këtu është problemi, nëse është institimi i deputetes (Musliu) më trego kohën datën kur fillojnë me i marrë këto shtesa. Unë e kam gjetë situatën si e kam gjetë, unë i kam 3 muaj si kryeministër. Pyetni policët se si kanë kaluar kur kam qenë ministër i Financave”, tha Hoti.

Paraprakisht Kollçaku i tha Hotit se vetëm pas presionit publik, kryeministri ka vendosur që të takohet me Sindikatën e Policisë.

Tutje Hoti ka folur për gjendjen e pandemisë në kohën kur ka qenë në fuqi kufizimi i lëvizjes, duke thënë se VV krenohet me rastet e pakta atëherë kur vendi ka qenë në mbyllje.

“I keni nxjerrë policët kah 12 orë në pandeme, shkoni krenohuni kur njerëzit kanë qenë të mbyllur në çels me policë te dera. Orët shtesë paguhen me pagën e shtatorit, shujtën jemi duke e përgatitur nuk e dijmë koston por jemi duke e shqyrtuar”, u shpreh Hoti.

Kollçaku ka thënë se është hipokrizi e kryeministrit Hoti të thuhet se policët kanë punuar nga 12 orë në kohën e kufizimit të lëvizjes pasi vet ka qenë zëvendëskryeministër i asaj qeverie.

“A ka hipokrizi më të madhe i keni nxjerrë policët për 12 orë në rrugë kur ju keni qenë zv/kryeministër kur është marrë vendimi. Ligji Anti-Covid i cili ka kërkuar 50% t’iu rritet paga si shtesë policëve gjatë kohës së pandemisë, nuk është votuar nga subjekti juaj LDK’ja. Të thoni se ne po ju sulmojmë është pasojë e takimit të Sindikatës të cilët nuk i keni përfillur”, ka thënë deputetja e VV-së.