Lajme

Hoti: Çdo të riu që përfundon studimet do t’i ofrohet 1 vit pune me pagesë

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministër, Avdullah Hoti, tha të premten në Suharekë se zhvillimi ekonomik dhe krijimi i vendeve të reja të punës do të jenë prioritet i qeverisë së tij të ardhshme.

“Rinia do të mbështetet duke ofruar arsimim cilësor në profile arsimore mbi bazat e nevojave të tregut të punës. Do të zhvillohet skema për mbështetje për punësim të të rinjve, subvencionimit të ndërmarrësve të rinj, lehtësira për tranzicion nga shkolla në punësim, mundësi për punë praktike duke bashkëpunuar ngushtë me ndërmarrjet, promovim i punës vullnetare, trajnim i vazhdueshëm për integrim në tregun e punës, ndihmë për banim për studentët, mbështetje qendrave për inovacion të të rinjve, etj”, tha Hoti.

Kryeministri në detyrë Hoti tha se do të punohet në krijimin e kushteve për punësim të qëndrueshëm dhe dinjitoz, duke promovuar konkurrencën e lirë, me rol të kufizuar të shtetit në ekonomi, kryesisht si lehtësues e rregullator i zhvillimit ekonomik, bazuar në prioritetet nacionale zhvillimore, me kujdes të veçantë ndaj mjedisit, për ta ruajtur atë edhe për brezat e ardhshëm.

Ai shtoi se Kosova e ka të domosdoshme përgatitjen e një orientimi të qartë strategjik afatgjatë të zhvillimit, ku vendosen prioritetet zhvillimore dhe kornizat e politikave ekonomike, fiskale e buxhetore dhe të borxhit publik, që tejkalojnë një mandat qeverisës.

Hoti ju ka garantuar bujqve të Suharekës vazhdimin e përkrahjes shtetërore.

“Duke marr parasysh potencialin që ka sektori bujqësor për rritjen e prodhimit vendor dhe punësimit në gjithë zinxhirin prodhues, përpunues dhe shërbyes, LDK do të angazhohet fuqishëm për mbështetjen e sektorit bujqësor, duke filluar nga prodhimtaria primare, ruajtja, përpunimi dhe tregtimi si produkte finale”, ka thënë Hoti.

Ai tha se do të ofrojnë mbështetje për bujqësinë në programin për zhvillimin bujqësor të qëndrueshëm dhe në strategjinë për mbrojtjen e prodhimeve vendore.

“Mbështetja do të jetë për të gjitha fazat e prodhimit bujqësor, me fokus në sektorët ku vendi ka avantazhe krahasuese. Nisur nga fakti që Kosova ka orientim drejt integrimit në BE, orientimi i qeverisë do të jetë që politikat e zhvillimit të bujqësisë të përafrohen me Politikat e Përbashkëta Bujqësore të BE-së”, tha Hoti.


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?