Lajme

Haxhiu: Taksa 100% do të hiqet

Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se qeveria e udhëhequr nga kjo parti do të zëvendësojë tarifën ndaj mallrave serbe me reciprocitet të plotë ndaj Serbisë.

Ajo ka thënë se me Serbinë në dialog s’do të lejojnë asnjëherë të flitet për çështjet e brendshme të Kosovës.

“Për tarifën kemi thënë edhe para zgjedhjeve. Ne do ta zëvendësojmë tarifën me reciprocitet politik, ekonomik, e tregtar”, ka thënë ajo për KTV-në.

Sipas Haxhiut, pas numërimit të të gjitha votave, VV synon të arrijë në 34-35 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Ajo ka thënë se Lista Serbe s’do të jetë pjesë e Qeverisë.

“Lista Serbe do të mbetet në opozitë. Ishte presion i madh në qytetarët serbë. E dimë këtë. Është interes i të gjithëve që të integrohen qytetarët serbë”, ka thënë ajo duke shtuar se do të bashkëpunojnë me politikanë serbë që njohin Kosovën si shtet.