Lajme

Haxhiu: LDK nuk ka vullnet për bashkëpunim

Ish Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosjes Albulena Haxhiu, në një intervistë për EkonomiaOnline ka folur për bashkëpunimin me Lidhjen Demokratike të Kosovës.



Ajo ka thënë se VV ka vullnet për bashkëpunim por jo edhe LDK.

“Ne kemi caktuar menjëherë atë ditë përfaqësuesin që do ta përfaqësojë VV-në në këto grupe punuese, përgjegjësia e këtyre grupeve do të jetë harmonizimi i programit qeverisës. Megjithatë nëse ekziston një vullnet politik për ta këndellur Kosovën, atëherë besoj që nuk do duhet që të ketë pengesa. Prandaj nëse ka vullnet, natyrisht që kjo është e mundur. Sa i përket VV-së, ne jemi jashtëzakonisht të hapur dhe shumë të interesuar që ky koalicion të bëhet, por nuk e kemi parë fatkeqësisht të njëjtin interes te Lidhja Demokratike e Kosovës. Këtu dua të shtoj se nuk kemi nevojë që të presim certifikimin e rezultateve, në qoftë se ne nuk bëjmë takime deri në certifikim, atëherë kjo për VV-në është kohë e humbur “- tha Haxhiu.

Haxhiu shtoi se deklaratat e nënkryetarit të Lidhjes Demokratike, Lutfi Haziri, janë destruktive.

“Kam parë deklarata destruktive, sidomos të Lutfi Hazirit që nuk i ndihmo fare bashkëpunimit me VV-në dhe atij qeverisës, prandaj edhe sot kam ftuar atë që të tërhiqet nga këto deklarata të cilat nuk i ndihmojnë fare bashkëpunimit tonë qeverisës”.


Në fund ajo deklaroi se pas takimeve mes kreut të Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa kanë arritur vetëm një marrëveshje për uljen e ministrive.

“Ne kemi pasur një takim ndërmjet përfaqësuesve të Vetëvendosje, pra kryetari jon me Isa Mustafën dhe Vjosa Osmanin. Ka qenë një takim optimist, në kuptimin e një bashkëpunimi qeverisës. Pra aty janë dakorduar se cili do të jetë numri i ministrive, për përfshirjen e barazisë gjinore në qeverisjen e ardhshme, për disa vendime që nuk duhen të qohen përpara qeveria Kurti, por më e rëndësishmja që janë dakorduar për grupet punuese”, ka thënë Haxhiu

Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e 6 tetorit doli e para, e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.