Lajme

Hasani: Me këtë standard të aktgjykimit, Kurtin nuk e lejojnë të jetë as kryeministër

Absurd dhe kaotik në interpretim e ka vlerësuar ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani aktgjykimin e publikuar sot, nëpërmjet të cilit çdo kujt që është i dënuar me vendim të plotfuqishëm i pamundësohet gara për deputet. Sipas Hasanit, përmbajtja e këtij vendimi ka qenë e pritshme marrë parasysh njoftimin që kishte lëshuar Kushtetuesja para dy javësh.

“Gjykata nuk ka mundur të jap tjetër interpretim pos që thotë siç ka thënë e duke u bazuar në ligje, jo në Kushtetutë. Me këtë aktgjykim, si dhe me atë të fundit për rastin e pandemisë, kjo Gjykatë definitivisht ka rrënuar supremacinë e Kushtetutës, duke rrënuar garancionet e dhëna kushtetuese nga kapitulli i II i Kushtetutës”, ka thënë Hasani për “Kohën”.

Ai sheh kontradikta mes pikave të interpretuara në aktgjykim.

“Shumë bile, narrativi është kaotik tej mase. Kontradikta kryesore është në mes të pjesës operative nën II dhe paragrafin 260. Ky paragraf bën dallimin në mes të atyre që nuk mund të kandidohen dhe tregon pse dhe kur, si dhe kur humbet mandati. Në rastin e humbjes së mandatit Gjykata e ka ruajtur normën kushtetuese, kurse në rastin e kandidimit ka thënë se çdokush që ka një vendim për një vepër penale përjashtohet nga mundësia për kandidim”, ka thënë Hasani.

Paragrafi që i referohet Hasani thotë se, “Në vlerësimin e Gjykatës, neni 70.3.6 i Kushtetutës, neni 8.1.6 i Ligjit për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit dhe nenin 112.1 (a) dhe (c) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, duhet të lexohen në mënyrë të ndërthurur me nenin 71.1 të Kushtetutës dhe nenit 29.1.q të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme”.

“Qëllimi i përbashkët i këtyre neneve kushtetuese dhe ligjore është që: a) personat e dënuar për vepra penale me vendime gjyqësore të formës së prerë, të vlefshme në Republikën e Kosovës, të mos mund të kandidohen e as të zgjidhen si deputet, nëse janë dënuar gjatë tri viteve të fundit para zgjedhjeve; dhe b) të mos mund të ushtrojnë mandatin e deputetit nëse janë të dënuar me një apo më tepër vite burgim, me një vendim gjyqësor të formës së prerë, të vlefshëm në Republikën e Kosovës”, thotë paragrafi 260.

Sipas Hasanit, gjëja më e keqe në tërë këtë aktgjykim, dhe që tregon për nivelin e tij, është “se në paragrafin 138 gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese nuk e dinë se çka dmth “kontroll abstrakt” dhe e fusin vendimin individual të Kuvendit në kategorinë e akteve që i nënshtrohen kontrollit abstrakt”.

“Këtë e din çdo student i vitit të dytë që mëson për gjyqësinë kushtetuese. Me këtë, Gjykata e ka nxjerr vendimin nga domeni i akteve individuale dhe, për pasojë, mendon se vendimet e Kuvendit nuk mund të cenojnë të drejtat dhe liritë e njeriut nga Kapitulli II dhe III i Kushtetutës. Kjo është një katastrofë”, ka theksuar ai.

I pyetur nëse me këtë aktgjykim i pamundësohet gara për deputet kryetarit të VV-s dhe të tjerëve që janë dënuar me kusht, Hasani ka shtuar se nuk ka lidhje lloji i dënimit por dënimi për fajësi penale, “kështu thotë Gjykata ne paragrafin II të diapozitivit”.

“Në fakt, ky paragraf është përshkrim ad literam i dispozitës ligjore dhe futja e Kushtetutës nën këtë dispozitë ligjore. Kjo është absurd”.

Edhe pse ligji nuk ia ndalon Kurtit të zgjidhet kryeministër i vendit, Hasani vlerëson se me standardin e vendosur mund t’i pamundësohet edhe kjo.

“Sipas Kushtetutës së Kosovës qartë ka qenë dhe është, sikur loti, që pos me vendim gjyqësor të formës së prerë nuk mund të merren të drejtat civile. Kjo me këtë aktgjykim u prish, nuk ekziston më si garancion kushtetues”, ka thënë Hasani.

“Nëse shkon çështja në Gjykatë sërish, me këtë standard të tanishëm, garant që nuk e lejojnë të jetë as kryeministër. Nuk ka interpretim tjetër tash e tutje”, ka përfunduar Hasani. /Koha.net


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?