Haradinaj: Thaçi e Veseli nuk e kanë lehtë, Kosova të mendojë se si të mos i mbes borxh drejtësisë
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha sot në emisionin “Debat plus” në tv Dukagjini se paralajmërimi që ka propozim aktakuzë ndaj Presidentit Hashim Thaçi, kreut të PDK-së, Kadri Veseli dhe luftëtarëve të tjerë të UÇK-së, është një goditje për Kosovën.
Ai theksoi se Kosova duhet të mendojë se si të menaxhojë goditjen, që ajo të mos shkaktojë pasoja të pariparueshme.
Sipas Haradinajt, ngritja e një gjykate në Kosovë, ku dyshimet do të hetoheshin prej ndërkombëtarëve, do të ishte ndihmesë edhe për aftësimin e gjyqësorit vendor.
“Ne kemi pasur ofertë që gjykata të vendoset në Kosovë dhe dëshmitarët jashtë Kosove”, u shpreh mes tjerash ai.
Kreu i AAK-së, theksoi se që prej UNMIK-ut, qindra luftëtarë të UÇK-së kanë rënë nëpër procese gjyqësore, derisa asnjë serbë nuk ka rënë në procese.
Nga ana tjetër, Haradinaj theksoi se kjo nuk është e lehtë për Thaçin e Veselin as në aspektin familjarë e as në atë të jetës politike e institucionale.
Mirëpo, përtej kësaj Haradinaj tha se duhet të mendohet se si të jetë epilogu ose fundi i procesit të Speciales.
Haradinaj, potencoi se nëse Gjykata shkruan një akt të fajësisë për Kosovën, atëherë Kosovës i bëhet dëm, sidomos në përballje me Serbinë.
“Kosova duhet të mendoj që të mos i mbetet borxh drejtësisë. Çdo luftëtarë e meriton të drejtën ta dëshmojë pafajësinë, edhe nëse është vepër individuale i bën dëm më shumë luftës. Nëse Gjykata i shkruan Kosovës një faj edhe përmes prijësve të luftës është një humbje e madhe”, u shpreh mes tjerash Haradinaj./Objektiv/