Lajme

Haradinaj: Pse drejtësia heshti para këtij krimi?

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka kujtuar sot masakrën e Poklekut në 23-vjetorin e sajm transmeton Insajderi.

Ai ka thënë se heshtja e drejtësisë nuk i zbeh kujtimet për familjet që u ekzekutuan mizorisht.

“Njëzet e tri vjet më parë, në Poklek të Vjetër, do të sulmohen tri familje të pambrojtura, e do të ekzekutohen mizorisht që të gjithë. Heshtja e drejtësisë nuk zbeh kujtimet për ata që fëmijëria e tyre u shua nga barbarët në tentim të zhbërjes së ekzistencës sonë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Haradinaj ka thënë se në mesin e atyre që pësuan kishte fëmijë dhjetëmuajshe e deri në katër vjeç.

“Do t’i kujtojmë me dhembje në zemër, tre fëmijët e Mehdi Muqollit prej dhjetëmuajsh deri në katër vjeç, vajzat e Qamil Muqollit, Liria gjashtëmuajshe dhe Florentina tri vjeçe, fëmijët e Fadil Muqollit, Egzoni katër vjeç, Ylberi dhjetë, Naseri dymbëdhjetë dhe Shehidja trembëdhjetë vjeçe. Fatos (Xhavit) Muqolli një vjeç dhe motra e tij Eronita katër vjeçe, pesë fëmijët e Ilmi Muqollit, Albulena (5), Agroni (10), Rexhepi (12), Fatmirja (17) dhe Vezirja (20), katër vajzat e Sinan Muqollit: Hafija, Sherifja, Elifja dhe Eminja nga dhjetë deri në njëzetedy vjeç, fëmijët e Liman Muqollit, Mërgimi, Mirsadi dhe Menduhija nga pesë deri njëmbëdhjetë vjeç, djemtë e Ejup Carakut, Hasani dymbëdhjetë e Besarti trembëdhjetë vjeç. Avdullahu dymbëdhjetë vjeç dhe katër djemtë e Ymer Elshanit”, ka kujtuar Haradinaj.

Ai ka thënë se nuk e kupton pse drejtësia po hesht përballë këtyre krimeve makabre.

“Ende nuk e kuptojmë këtë urrejtje, këtë barbari, që vret nënat me fëmijë, e më pas djeg kufomat. Përse drejtësia heshti para këtij krimi makabër? Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila dëboi këtë armik të egër e barbar, është frymëzim për FSK, që e transformuar në ushtri, do të mbrojë territorin dhe popullin tonë, dhe nuk do të lejojë që të ri-përjetojmë dhembjet e kohës së okupimit. Duke kërkuar drejtësi për të rënët, qoftë i përjetshëm kujtimi për ta”, ka përfunduar Haradinaj./Insajderi/


SHIKO EDHE: 10 teknologjitë e lashta për të cilat shkenca ende nuk ka përgjigje