Lajme

Haradinaj deklarohet pas mbylljes së lojërave të fatit: Kur thash po vi me i kry do punë, nuk besojshin

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në një konferencë për shtyp pas mbledhjes së Qeverisë është deklaruar për mbylljen e lojërave të fatit, raporton Gazeta Blic.



I pari i ekzekutivit pas vendimit që Qeveria e mori, tha se nuk ka arsye të flas diçka tjetër. Thumboi edhe opozitën e cila e ka kritikuar Haradinajn për këto lojëra.

“Nuk besoj që kam arsye me fol. Çka mendon qeveria u tha sot. Ndalen lojërat e fatit në Kosovë. Lotaria e Kosovës mbetet sepse është ndryshe, tjerat mbyllen”, tha Haradinaj.

“Kur kam thënë që po vi me i krye do punë që kanë mbet për vite të tëra, nuk besojshin por po shihet sesi po vërtetohet”, tha ai.

Ai foli edhe për punëtorët të cilët do të mbesin pa punë pas mbylljeve të këtyre lojërave.


“Ligji i sotëm i ka kostot e veta. Sa i përket vendeve të punës jemi të gatshëm që ata të rinj e të reja tu gjejmë punë por e dini që është mundësia e kufizume. Por është edhe një llogari e bërë, ato pasojat tjera kanë qenë më të mëdha sesa këto që po i cekim. Është mirë që po ndalen. Ata që kishin pikëpamje për ne, ne ua kthyem sot”, tha Haradinaj.