Lajme

Grenell: Shqiptaro-amerikanët e bënë të qartë, do të votojnë për Trumpin

Ndërmjetësuesi special për Kosovën dhe Serbinë nga Administrata Trump, Richard Grenell, ka thënë se ka siguruar mbështetjen e shqiptaro-amerikanëve në Detroit.

Grenell e ka bërë të ditur nëpërmjet një cicërime në Twitter se përfaqësues të bizneseve dhe liderëve religjioz ia kanë bërë të qartë se do e votojnë kandidatin republikan, Donald Trump.

“Në Detroit, duke biseduar me përfaqësues të bizneseve dhe krerë fetar shqiptar. Ata ma bënë të qartë se shqiptaro-amerikanët do e votojnë @realdonaldtrump”, ka thënë Grenell.

Zgjedhjet në SHBA do mbahen më 3 nëntor. Përveç Donald Trump, do kandidojë edhe Joe Biden, i cili momentalisht po prin në sondazhet e realizuara nga mediumet amerikane.

I dërguari amerikan i ka bërë thirrje shqiptaro-amerikanëve edhe gjatë ditës së djeshme për të votuar për Donald Trump në zgjedhjet presidenciale më 3 nëntor.

“Donald Trump ka punuar shumë për paqen në Ballkan, për normalizimin ekonomik. Ai i ka kushtuar vëmendje një zone ku ne e dimë që Barack Obama dhe Joe Biden nuk arritën ta bënin, ”tha Grenell në një mesazh me video të postuar nga transmetuesi publik i Kosovës RTK të mërkurën.

Grenell shtoi se Trump “ka punuar shumë për ta siguruar votën tuaj dhe e kupton që rajoni ka nevojë për normalitet kur bëhet fjalë për përparimin ekonomik”.

Ndërkaq, Trump përgjatë një tubimi për promovim elektoral deklaroi se ai i “ndaloi vrasjet masive” dhe “luftimet 400 vjeçare”, duke thënë se ka bërë që udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë “të përqafohen e puthen me njëri-tjetrin”.