Lajme

Grenell: Ne nuk mund të ndihmojmë nëse Kosova nuk e largon taksën

Emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Richard Grenell, ka reaguar në komentin e një shqiptari i cili ka kërkuar nga i dërguari amerikan që ta njoftojë me zhvillimet e procesit të dialogut.

“Ambasador, njerëzit në Kosovë dëshirojnë shumë të dinë se çfarë po ndodhë prapa skenave në DC dhe Bruksel. Politikanët tanë nuk kanë qenë shumë transparentë. Ne nuk e dimë se çfarë mban e ardhmja. Detajet shtesë do të ndihmonin”, ishte komenti i Arbër Koliqit që e bëri Grenellin të reagojë.

Grenell tha se Uashingtoni nuk mund të ndihmojë nëse nuk hiqen tarifat, të cilat, sipas tij, po e dëmtojnë Kosovën.

Tutja, i dërguari i posaçëm i Trumpit ka bërë të ditur se Uashingtoni është përqendruar në zhvillimin ekonomik, kurse çështjet politike mes dy shteteve duhet të zgjidhen nga dy palët e jo Uashingtoni.

“Uashingtoni është përqendruar në zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve të punës – ne besojmë se kjo është injoruar në dialog. Por ne nuk mund të ndihmojmë kur tarifat e Qeverisë së Kosovës vazhdojnë të dëmtojnë Kosovën. Ato fillimisht duhet të hiqen Gjithashtu, çështjet politike do të zgjidhen nga të dy palët – jo Uashingtoni”, ka shkruar emisari amrikan në Twitter./Gazeta Sinjali/