Lajme

Grenell i kalon kufijtë në Beograd, kërkon largimin e KFOR’it nga Kosova dhe të mos përmendet njohja

Kritik ndaj Bashkimit Evropian, Angela Merkelit dhe administratës së Bidenit, por edhe ndaj sektorit të OJQ-ve, i bindur për korrektësinë e Trump, me të cilin ndan edhe qëndrimin e tij ndaj gazetarëve – kështu mund të përshkruhen shkurtimisht qëndrimet dhe sjelljet e Richard Grenell-it. I njohur edhe si ish i dërguar i ish-presidentit Donald Trump në SHBA për dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Grenell ka dhënë disa deklarime të forta gjatë një ligjërate të mbajtur në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd, shkruan media serbe Danas.

“Jam plot energji dhe prandaj do të ngrihem dhe do të flas”, tha Grenell dhe kur gazetari tha se do të shkaktonte probleme teknike për shkak të mikrofonave që po incizojnë, ai u përgjigj se nuk është aty për media, por për studentët. Për pak më shumë se një orë, Grenell foli në këmbë, ndërkohë që theksoi rëndësinë e zërit të studentëve, të cilët i ftonte vazhdimisht të thonë publikisht atë që nuk u pëlqen në politikat publike dhe se rrjetet sociale janë një alternativë e mirë për atë qëllim.

Ish-i dërguari i SHBA-së për dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Richard Grenell, po ashtu ka vlerësuar se fajtorë për mungesën e zgjidhjes për dailogun janë Bashkimi Evropian që udhëheq dialogun si dhe Qeveria e Albin Kurtit.

Grenell foli për situatën në Kosovë dhe tha se beson se KFOR-i duhet të tërhiqet nga Kosova sepse, sipas tij, prania e KFOR-it e zgjat konfliktin. Kjo e dëmton ekonominë e Kosovës sepse, sipas Grenellit, i pengon kompanitë të investojnë në Kosovë, shkruan gazeta serbe Danas.

Nuk mendoj se procesi i Brukselit që flet për njohjen dhe mosnjohjen e Kosovës nuk e zgjidh problemin, tha bashkëpunëtori i afërt i ish-presidentit amerikan, i cili u trgua shumë kritik ndaj BE-së. Ai, madje deklaroi se përfaqësuesit e BE-së nuk po e zgjidhin problemin në Kosovë, sepse nëse do ta zgjidhnin, tashmë do të ishin papunë.

Grenell po ashtu ka deklaruar se tema e tij i preferuar është ajoqë ka të bëjë me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Ish-zyrtari amerikan që mori pjesë në nënshkrimin e Marrëveshjes së Uashingtonit tha se ajo adresoi shumë probleme. Lidhur me këtë marrëveshje të nënshkruar në vitin 2020 mes zyrtarëve të Serbisë dhe Kosovës, ai po ashtu tha se është turp që ish-kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, është në paraburgim dhe se nuk ka marrë pjesë edhe në Marrëveshjen e Uashingtonit.

Ai tha gjithashtu se ish-presidenti amerikan Trump ishte kundër ndarjes së Kosovës.

Grenell akuzoi gazetaren e Zërit të Amerikës për propagandë

Bashkëpunëtori i Trump u “godit” nga pyetja e gazetaries së “Zërit të Amerikës”, e cila e pyeti për vizitat e tij tek zyrtarët serbë.

Ajo e pyeti pyeti Grenelin nëse mund të paguhet për të lobuar për Qeverinë e Serbisë dhe nëse po, kush po e paguan atë, për të cilën ai u përgjigj se pyetja e saj ishte provë e lirisë së medias. Me një qëndrim që ishte karakteristikë e Donald Trump kur komunikonte me gazetarët, ai e akuzoi këtë media për propagandë, pavarësisht fjalëve të gazetares së Zërit të Amerikës se këtë pyetje ia dërgoi Grenellit me email, por që nuk mori kurrë përgjigje.

“Kjo që thatë është një trillim. Unë nuk punoj për Qeverinë e Serbisë. Unë jam një person privat dhe mund të bëj çfarë të dua. Unë po e ndihmoj këtë rajon sepse e dua atë”, tha Grenell, raporton Danas.

Në prezantimin e tij të mëtejshëm, ai u rikthye tek Zëri i Amerikës, duke thënë se pyetja që i është bërë është provë e lirisë së medias dhe duke e akuzuar sërish këtë media për propagandë.

Studentët patën gjithashtu mundësinë t’i bënin pyetje Grenellit. Ata u interesuan edhe për qëndrimin e tij në lidhje me sanksionet kundër Rusisë, për të cilin Grenell tha se vendosja e sanksioneve ndaj Nord Stream 2 ishte një gabim.

“Shembulli i çdo vendi është i ndryshëm, nuk dua t’i them Serbisë se çfarë të bëjë në lidhje me sanksionet”, u përgjigj Grenell.

Ai gjithashtu tha se mendon që Trump do të kandidojë sërish për president dhe se nëse lidershipi i Trump do të kishte mbetur në pushtet, nuk do të kishte luftë në Ukrainë.

Ai ishte gjithashtu kritik ndaj OJQ-ve dhe sektorit civil. Tha se shumica e atyre njerëzve të thjeshtë që “punojnë shumë dhe jetojnë ndershëm”, nuk është e përfshirë në procese politike.

Pozicioni ideologjik i Grenellit ishte gjithashtu i qartë. Në fund të prezantimit, ai vuri në dukje se ai është një shembull se si homoseksualët nuk duhet të jenë vetëm progresistë të majtë, të cilët ai i quajti “të çmendur” më shumë se një herë, por mund të jenë edhe për kapitalizmin dhe sundimin e ligj, pra me orientim konservativ.