Lajme

Gjykata merr vendim për personin që përgjaku babanë duke e goditur me grushta në nofull

Gjykata Themelore në Gjilan ia ka caktuar 30 ditë paraburgim të pandehurit G. S. pasi kishte rrahur me grushte deri në përgjakje babanë e tij.

Sipas njoftimit, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri ka ushtruar dhunë fizike ndaj të dëmtuarit (babait) A. M. duke e sulmuar me duar.

I biri e kishte kapur për fyti babanë dhe me grushte e kishte goditur në nofull ku si pasojë e goditjeve kishte pësuar gjakderdhje nga goja.

Në njoftim thuhet se me këto veprime i pandehuri G. S. dyshohet të ketë kryer veprën penale “dhunë në familje”, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

“Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Përgjithshëm, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, G. S., pasi është marr në konsideratë pesha e veprës penale, ku ligjvënësi ka paraparë dënim kumulativ me gjobë dhe burg deri në tre vjet dhe caktimi i masave alternative do të pengonin zhvillimin normal të procedurës penale”

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.