Lajme

Prokuroria demanton mërgimtaren që akuzoi pronarin e klinikës “Dent Fix”

Gazeta Sinjali pak më parë raportoi se Ordinanca Stomatologjike “Dent Fix” ka paralajmëruar padi për shpifje dhe kallëzim penal për deklarim të rrejshëm ndaj mërgimtares Teuta Gashi, e cila publikisht ka akuzuar pronarin e kësaj ordinance Fehim Halitin, për ngacmim seksual, trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor dhe mosdhënie e ndihmës mjekësore. Avokati Besnik Berisha, përfaqësues i autorizuar i kësaj klinike tha për Sinjalin se pretendimet e Gashit janë të konstatuara si të pavërteta nga Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe si të tilla, sipas tij, janë orkestruara dhe të motivuara për përfitime personale. Sinjali ka siguruar aktvendimin e Prokurorisë për hedhjen poshtë të kallëzimit penal të parashtruar nga Teuta Gashi dhe arsyetimin se Fehim Haliti nuk ka kryer veprat për të cilat është denoncuar.

Më 10 tetor, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka marrë vendim për ta hedhur poshtë kallëzimin penal të parashtruar nga Teuta Gashi, ndaj Fehim Halitit, pronar i Ordinancës Stomatologjike Dent Fix”, pasi që sipas Prokurorisë nuk ekziston dyshimi se Fehim Haliti ka kryer veprat “Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor”, “mosdhënia e ndihmës mjekësore” dhe “ngacmim seksual”.

Në vendimin e siguruar nga Sinjali, thuhet se Prokuroria e ka hedhur poshtë kallëzimin penal me arsyetimin se Fehim Haliti nuk ka kryer veprën penale “trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor, pasi këto pretendime nuk janë provuar me asnjë provë relevante dhe konkrete nga Teuta Gashi”.

Gashi kishte pretenduar se Fehim Haliti, gjatë muajit maj 2018, në klinikën e tij në Prishtinë, gjatë dhënies së shërbimeve të kujdesit shëndetësor-stomatologjik ka përdorur një mjet apo metodë të papërshtatshme të mjekimit, duke i shkaktuar pacientes dëmtim të rëndë te dhëmbët dhe goja e saj. Teuta Gashi kishte pretenduar se gjatë kontrollit, pa e paralajmëruar dhe informuar mirë për kohën e trajtimit, i dyshuari ka filluar t’ia përgatisë dhëmbët për korrigjim estetik dhe atë të kurorave “Veneers.”

Sipas Gashit, pas një kohe asaj i janë shfaqur dhimbje dhe infeksione pasi është kthyer në Gjermani, ku edhe është trajtuar atje, në një ordinancë. Paraprakisht, në lidhje me rastin, kirurgu Arben Murtezani, në klinikën Dent Fix, i cili edhe e ka trajtuar pacienten më 27 qershor 2018 i ka dërguar asaj një raport ku ka përshkruar se ajo ishte trajtuar në këtë klinikë në muajin maj 2018. Në këtë raport thuhej se dhimbja ishte e vazhdueshme dhe për shkak të kësaj gjendje ka përshkruar antibiotik dhe pako të ftohta mbi zonën e prekur.

Në aktvendimin e Prokurorisë thuhet se pas analizimit dhe përshkrimit të kallëzimit penal, prokurori konsideron se nuk ekziston dyshimi se është kryer vepra penale “trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor”.

Sipas Prokurorisë, Teuta Gashi pas mjekimit që ka pasur në ordinancën Dent Fix, në muajin maj të vitit 2018, është trajtuar edhe në Gjermani dhe pas gati 3 vitesh ka parashtruar kallëzim penal duke mos e mbështetur me ndonjë raport mjekësor me të cilin do të mund të konstatohej se ka pësuar lëndime të rënda trupore, si pasojë e trajtimit nga doktorët e klinikës Dent Fix.

Arsyetimi se Fehim Haliti nuk ka kryer veprat penale “mosdhënia e ndihmës mjekësore” dhe “ngacmim seksual”

Teuta Gashi, sipas kallëzimit penal e kishte telefonuar të dyshuarin, pasi kishte qenë në Gjermani, duke i kërkuar ndihmë mjekësore, pasi kishte dhimbje dhe nuk mund t’i përballonte. Në kallëzim penal po ashtu thuhet se e njëjta kishte shkuar në ordinancë, por Fehim Haliti sipas saj nuk kishte qenë aty dhe kishte refuzuar t’i ofronte ndihmë mjekësore. Sipas Prokurorisë, Teuta Gashi nuk ka ofruar asnjë provë se i njëjti mund ta ketë kryer veprën penale “mosdhënia e ndihmës mjekësore.

Në lidhje me këtë, Fehim Haliti, në deklaratën e tij të dhënë para prokurorit, më 6 tetor 2021, ka deklaruar se kur e dëmtuara kishte kërkuar ndihmë mjekësore nga ai, nuk kishte qenë në klinikë por në Aeroportin e Prishtinës dhe i kishte sugjeruar që të shkonte në klinikë dhe do ta trajtonin doktorët e tjerë, por e njëjta kishte insistuar që vetëm ai (Fehim Haliti ) ta trajtonte.

Teuta Gashi po ashtu ka deklaruar se gjatë trajtimit te Fehim Haliti, i njëjti e kishte ngacmuar me fjalë dhe veprime seksuale, duke i sugjeruar se pagesën e dhëmbëve do ta kryej në një “formë tjetër” dhe sipas saj, kur ajo e kishte telefonuar nga Gjermania për t’i kërkuar ndihmë, i dyshuari i kishte thënë “sa femër e bukur ishe”.

Sipas Prokurorisë, Teuta Gashi nuk e ka përcaktuar saktë se në cilën datë kishte kontaktuar me të dyshuarin, pasi që në bazë të intervalit kohor do të aplikoheshin edhe dispozita relevante që kanë qenë në fuqi, pasi vepra penale “Ngacmim Seksual” është paraparë me Kodin Penal që ka hyrë në fuqi me 15 prill 2019. Tutje në aktvendimin e Prokurorisë për hedhjen poshtë të këtij kallëzimi penal, thuhet se pas analizimit të veprimeve të të dyshuarit, nuk mund të argumentohet me asnjë veprim, se i njëjti ka konsumuar elemente të veprës penale “ngacmim seksual”.

Deklarata e dentistit Fehim Haliti

Fehim Haliti i ka mohuar në tërësi akuzat e Gashit dhe ka deklaruar se “unë nuk kam kontakte të drejtpërdrejta me pacientë, që do të thotë se nuk flas në telefon me ta, por kjo kryhet nga menaxherja e zyrës, e cila cakton teminin e pacientëve e po ashtu edhe me pacienten në fjalë ndaj së cilës me bindje të plotë dhe sinqeritet të thellë deklaroj se nuk kam komunikuar në këtë formë siç ka pretenduar ajo”.

Haliti ka shtuar se me pacienten Teuta Gashi, është takuar së fundi më 10 shkurt 2021, ku ka qenë prezent edhe Dr. Arben Murtezani, asistentja G.H dhe tekniku A.M, e cila në prezencën e tyre i ka kërkuar 15 mijë deri në 25 mijë euro dhe i ka thënë se nga ai moment nuk kishte më punë me ta.

Tutje dentisti Haliti ka deklaruar se klinika të cilën e udhëheqë ka një reputacion të lartë dhe pretendimet e tilla do të ndikonin në imazhin e klinikës.

Avokati Berisha për Sinjalin deklaroi se klinika “Dent Fix”, do t’i ndjek të gjitha rrugët ligjore për shpifjet dhe trillimet të kujtdo.

“Janë pretendime absolutisht të pasakta, të motivuara për përfitime personale dhe të orkestruara nga njerëz që kanë qëllim dëmtimin e imazhit të njërës nga klinikat më moderne dhe më të suksesshme në vend dhe regjion.

Sigurojmë këdo që i ka dëgjuar apo lexuar pretendimet e denoncueses se çdo fjali e thënë për media nga ajo është hetuar nga prokuroria dhe është konstatuar si e pavërtetë.

Për shpifjet dhe trillimet e saj ajo do përballet me padi për shpifje dhe kallëzim penal për denoncim të rrejshëm.

Klinika Dent Fix do vazhdojë t’u shërbejë pacientëve me zell e përkushtim, ndërkaq për këdo që shpif e trillon, do ndjek rrugët ligjore gjithmonë!”, tha Berisha për Sinjalin.


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?