Lajme

Gjermania s’heq dorë nga “njohja e ndërsjellë” Kosovë-Serbi: As që mund të mendohet anëtarësimi në BE pa njohje

Marrëveshja Bazë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk është as finale e as gjithëpërfshirëse por e ndërmjetme. Kjo marrëveshje “nuk është e shkëlqyeshme” as sipas vetë Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Mirëpo në të “është njohja de facto”. Se në të përnjëmend ka “njohje de facto” thotë edhe Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë në një përgjigje për Insjaderin.

“Është e bazuar në një njohje de facto të ndërsjellë gjithëpërfshirëse”, thotë zëdhënësi i ambasadës gjermane, Sebastian Leuschner. Por, për shkak se Marrëveshja si e tillë është e pamjaftueshme, madje edhe sipas vetë kryeministrit Kurti, e lëre me opozitës, Insajderi ka pyetur ambasadorin se a vazhdon të qëndrojë Gjermania në thirrjen e saj se procesi i Dialogut të Lehtësuar nga BE duhet të përfundojë në “njohje [de jure] të ndërsjellë”. Përgjigja është pohuese.

LEXO EDHE:  E dhimbshme: 26-vjeçarja vendos kamerë të fshehur për të dëshmuar dhunën e burrit

Ambasada gjermane thotë se i qëndrojnë në plotëni mesazhit të kancelarit federal gjerman, Olaf Scholz, gjatë vizitës së tij të parë në rajon, përkatësisht në Prishtinë dhe Beograd, se procesi i normalizimit të marrëdhënieve, për sa kohë ka për synim anëtarësimin e palëve në BE, “është e pamendueshme” pa pasur edhe njohje të ndërsjellë.

“Gjermania ishte një nga vendet e para që e njohu Kosovën si shtet dhe dëshiron që procesi i dialogut të vazhdojë deri në normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Vazhdon të mbetet e vërtetë ajo që tha kancelari Scholz gjatë vizitës së tij në rajon vitin e kaluar: Nuk mund të mendohet si e mundshme (Envisage) që të dy vendet të anëtarësohen në Bashkimin Evropian nëse nuk e njohin njëri-tjetrin”, thotë zëdhënësi për Insajderin.

Në lidhje me Marrëveshjen të arritur fillimisht në Bruksel me 27 shkurt dhe për Shtojcën e Zbatimit në më 18 mars në Ohër, Leuschner thotë se “është hap madhor” dhe “shans unik historik” për normalizim të marrëdhënieve. “Bazohet në idenë e njohjes reciproke gjithëpërfshirëse de facto dhe do të hapë rrugën për thellimin e integrimit rajonal të Ballkanit Perëndimor dhe për të përshpejtuar afrimin e mëtejshëm të të dy vendeve në BE”.

LEXO EDHE:  Gazetari i njohur kosovar sulmohet fizikisht, goditet në bark nga protestuesit serbë në Zveçan

Megjithatë për gjermanët tashmë duhet bërë punë për zbatimin e Marrëvshjes, ndërsa për Kosovën është themelimi i Asociacionit, për çka thonë se “Gjermania pret propozime konkrete”.

“Presidenti Vuçiq dhe kryeministri Kurti janë pajtuar me Propozimin dhe Aneksin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Tani të dyja palët duhet të zbatojnë plotësisht të gjitha elementet e kësaj marrëveshjeje”.

“U bëjmë thirrje të dyja palëve që të punojnë në hapat e ardhshëm në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim. Kjo përfshin hapat e ardhshëm për themelimin e Asociacionit për të cilin të dyja palët ranë dakord gjithashtu në vitin 2013/2015. Në këtë sfond, Gjermania pret propozime konkrete për një rrugë përpara në këtë çështje, në lidhje të ngushtë me BE-në”, përfundoi zëdhënësi i ambasadës gjermane për Insajderin./Insajderi/

LEXO EDHE:  Rrahje në Kardiologji të QKUK-së- Këta dy persona zyrtarë u përfshin në një përleshje