Lajme

“Gjendja e jashtëzakonshme mund të shmanget nëse të gjithë bartin maska”

Mikrobiologu Lul Raka tha sot se shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë, pas shtimit të rasteve me koronavirus, mund të shmanget nëse të gjithë qytetarët bartin maska.

Duke komentuar paralajmërimin e kryeministrit Avdullah Hoti për mundësinë e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, Raka tha se çfarëdo vendimi që merret për këtë masë duhet të analizohet nga të gjitha këndvështrimet dhe institucionet relevante.

Ai ka porositur që vendimit politik duhet t’i paraprijë qasja shkencore. Sipas Rakës, dy faktorët kryesorë të rritjes së numrave me koronavirus ditëve të fundit janë mosrespektimi masiv nga qytetarët dhe mungesa e mbikëqyrjes dhe kontrollit nga shteti.

“Kultura dhe mentaliteti janë pjesë të rëndësishme që duhet të merren në konsideratë në intervenim”, ka shkruar ai.

Por, Raka është shprehur kundër shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, duke renditur disa argumente, që sipas tij, dëshmojnë që ai vendim nuk do të sillte rezultatet që presim.

“Përqindja e imunitetit në vendet me prekje masive-Spanjë, Francë, etj. ka qenë vetëm 5%. Suedia, e cila ka pasur qasje më liberale, edhe pse ka pasur edhe ajo restrikcione ka imunitet vetëm 7%. Për të arritur të ashtuquajturin imunitet kolektiv duhet të preken 70% e popullatës, por kjo shkon me mijëra të vdekur. Kjo qasje nuk është as etike e as e arritshme. Këtë qasje asnjë shtet në botë nuk e zbaton. Me këtë numër të ulët të personave që kanë kaluar sëmundjen, pjesa dërmuese e popullatës mbeten të ndjeshëm dhe kurdo pas çdo karantinimi, nëse s’ka mbikëqyrje nga shteti, do të ketë rishfaqje masive të numrave. Rezultatet pozitive që mund të vijnë nga izolimi total janë afatshkurtra”, tha Raka.

Sipas tij, pasoja do të ishin shkatërrimi i ekonomisë, shkatërrimi i shëndetit mental, mundësia e demonstratave dhe se gjendja e jashtëzakonshme do të linte në hije të gjithë sektorët tjerë të shëndetësisë. Ai ka shtuar se fatura e izolimit total është shumë më e lartë dhe është opsioni i fundit nga të gjithë skenarët e mundshëm.

Sipas tij, zgjidhje e mundshme është qasja “të gjithë me maska”.


SHIKO EDHE: 7 SIMPTOMAT QË JU TREGOJNË NËSE KENI COVID-19