Lajme

Gashi: Gjatë qeverisjes sonë kemi pasur kërcënime nga grupe islamike e të tjera por nuk i kemi bërë publike

Ish-ministri i Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi thotë se krerët e institucioneve vazhdimisht kanë kërcënime për jetën, por sipas tij jo të gjitha merren seriozisht. Ai thotë se disa prej personaliteteve kanë pranuar masat shtesë të sigurisë, derisa disa tjerë nuk i kanë parë të nevojshme këto masa.

“Unë kam qenë njëri prej personave në listën e “Syrit të Popullit” për t’u ekzekutuar. Në atë listë në atë kohë ka qenë presidenti Thaçi, Fatmir Limaj e disa njerëz të tjerë. Policia na ka njoftua. Kush e ka ndie vetën më të rrezikuar për disa javë është futur në mbrojtje speciale. Derisa unë e disa tjerë nuk e kemi ndjerë rrezikun dhe nuk kemi pranuar mbrojtje të afërt. Pas disa ditësh disa prej personave të organizatës janë arrestua”.

Gashi thotë se kërcënime të tilla ndodhin pa ndërprerë por sipas tij nuk bënë të ekzagjerohen.

“Ne gjatë kohës së qeverisjes kemi pasur vazhdimisht kërcënime nga grupe islamike e të tjera gjatë kohës së qeverisjes por jo të gjitha janë bërë publike pasi nuk janë konsideruar si shumë serioze. Policia ka qenë pak më vigjilente rreth shtëpisë apo vendit të punës. Nëse policia do të merrej me mbrojtje të afërt nuk është dashur të bëjë asnjë punë tjetër pasi ajo mbrojtje bëhet nga dy e më shumë policë”, deklaroi Gashi në Dukagjin.

Ndryshe sot u raportua se ka ekzistuar një plan për vrasjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe deputetit të PDK-së, Xhavit Haliti.