Lajme

Gabriel Escobar: Asociacioni është zotim, presim që Kosova ta respektojë marrëveshjen

I dërguari i posaçëm i Presidentit Biden, Gabriel Escobar, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës presin nga Kosova dhe Serbia të respektojnë marrëveshjet e nënshkruara gjatë dialogut të lehtësuar nga BE.

Në intervistën ekskluzive për Gazetën Online “Reporteri.net”, Escobar ka thënë se zotimet e mëhershme duhet të zbatohen.

I pyetur nëse krijimi i Asociacionit ka alternativë, zëvendësndihmës sekretari amerikan Escobar ka theksuar se Qeveria e Kosovës është zotuar që të ketë Asociacion.

“Presim që si Kosova, ashtu edhe Serbia t’i respektojnë zotimet e mëhershme. Qeveria e Kosovës është zotuar që të ketë një Asociacion i komunave me shumicë serbe (AKS). Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë dhe nuk do të diktojnë se çka duhet të bëjë ky Asociacion e as cilat duhet të jetë kompetencat e tij; ky është vendim sovran që duhet ta marrë qeveria e Kosovës”, tha Escobar për Reporteri.net.

Tutje Escobar ka deklaruar se ShBA nxisin qeverinë e Kosovës të shqyrtojë modelet e shumta për Asociacionint.

“Ka shumë modele që funksionojnë, duke përfshirë modele të shumta që do të lejonin bashkërenditje më të mirë lokale pa një nivel tjetër të qeverisë ose pushtetit ekzekutiv. E nxisim qeverinë e Kosovës që t’i shqyrtojë me kujdes këto modele”, deklaroi Escobar.

Në intervistën e tij, ekskluzive për Reporteri.net, Escobar ka treguar së së bashku me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi do të qëndrojë në Prishtinë, Beograd e Bruksel ndërmjet datave 31 janar – 4 shkurt.


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?