Lajme

Flet eksperti i sistemeve të gazit: Këto janë shkaqet e shpërthimeve në lokalet e gastronomisë

Bombolat e gazit nuk duhet të vendosen në brendësi të objekteve dhe të gjitha duhet të jenë të pajisura me detektorë, ka thënë eksperti i instalimit të pajisjeve të gazit, Visar Kastrati.

Sipas Kastratit, në Kosovë evidentohet një mungesë e dukshme e vendosjes së sistemeve të sigurisë ndaj rrjedhjeve të gazit. Kjo, thotë ai, vjen si rezultat i neglizhencës së përdoruesve të tyre.

Mungesa e detektorëve për rrjedhjen e gazit është njëri prej shkaqeve kryesore që shkaktojnë shpërthimet, thotë eksperti i instalimeve të gazit.

“Në tregun tonë fatkeqësisht niveli i sigurisë ndaj rrjedhjeve të gazit brenda hapësirave të kuzhinave dhe restauranteve lënë për të dëshiruar”, shprehet Visar Kastrati. “Në kuzhinat e restauranteve montohen pajisje të cilat nuk kanë asnjë kriter të sigurisë, duke vënë në rrezik gjithë stafin punues dhe jo vetëm”.

Në një deklarim për Gazetën Insajderi, Kastrati thekson se pronarët e bizneseve në Kosovë anashkalojnë kriteret e kërkuara për instalimin e gazit “në veçanti për arsye ekonomike”.

LEXO EDHE:  Zjarr i madh në Lipjan, publikohen pamjet

“Instalimet e gazit kanë një kosto ekonomike”, ka thënë Kastrati. “Çmimi i tyre varion nga 1,500.00 euro deri në 5,000.00 euro. Por, me 1,500.00 euro përmbushen standardet optimale të sigurisë”

Eksperti i sistemeve të gazit LPG thotë se lidhja ndërmjet pajisjeve të kuzhinës me bombolat e gazit, në Kosovë bëhet nga persona të pa certifikuar dhe te pa autorizuar.

Kastrati po ashtu shprehet kritik ndaj moszbatimit të kritereve për mbrojtje nga zjarri dhe lëndët djegëse nga pronarët e lokaleve të gastronomisë. Thotë se në një pjesë të madhe të tyre mungojnë shenjat për dalje emergjente.

LEXO EDHE:  E rëndë: 30-vjeçarja në Ferizaj që tenton t’i japë fund jetës, i dërgon bashkëshortit fotografi të litarit

“Brengosës është fakti që në hapësirat e restoranteve mungojnë shenjat e daljeve emergjente, duke i lënë opsion personave që ndodhen brenda ambienteve të mbyllura vetëm një derë për shfrytëzim”, ka thënë Kastrati.

Sipas këtij, këto rreziqe mund të minimizohen në masë të madhe duke pasur kontrolle të rrepta nga Inspektoriati i Punës apo organet e tjera kompetente.

Dy shpërthime të bombolave të gazit, njëri brenda një qendre tregtare dhe një tjetër në një lokal gastronomie, kanë ndodhur në Kosovë brenda një jave.

Incidenti i parë nga shpërthimi i bombolës së gazit ndodhi në një qendër tregtare në magjistralen Prishtinë-Ferizaj të martën e 29 dhjetorit 2020. Shpërthimi lëndoi 15 persona.

LEXO EDHE:  13-vjeçari ishte i vetëm në shtëpi, detaje nga ngjarja e rëndë në Ferizaj ku dyshohet se i mituri i dha fund jetës

Ndërkaq, një shpërthim i një bombole të gazit ndodhi sot në një lokal gastronomie në Ferizaj. Nga shpërthimi u lënduan mbi 40 qytetarë.

15 prej tyre pranuan trajtim mjekësor në Klinikën Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Të tjerët u trajtuan në Spitalin Rajonal të Ferizajt.

Drejtori i QKUK-së, Basri Lenjani ka thënë se 9 prej pacientëve të lënduar nga shpërthimi u operuan dhe janë jashtë rrezikut për jetë. /Insajderi.org