E martë, 26 Maj, 2020
Lajme

Festa e Fitër Bajramit – Ky është plani i Policisë së Kosovës për të ndaluar grumbullimin e njerëzve

Vetëm edhe një ditë na ndan nga festa e Fitër Bajramit.



Por, kësaj herë kjo festë do të festohet ndryshe prej herave të tjera. Kjo për shkak të situatës së pandemisë që është krijuar në pothuajse mbarë botën.

Madje, shkak i kësaj as namazi i Fitër Bajramit, nuk do të falet në xhamitë e Kosovës, në mënyrë që të evitohet grumbullimi i njerëzve.

Por, pos kësaj është bërë thirrje që të mos ketë vizita te njëri – tjetri si herave të tjera.

Një thirrje të tillë e ka bërë edhe Bashkësia Islame e Kosovës gjatë ditës së djeshme.



“Bashkësia Islame ka bërë thirrje që të mos ketë vizita te njëri-tjetri gjatë ditëve të Fitër-Bajramit, me qëllim që të ruhet shëndeti në situatën e pandiemisë dhe respektim të masave kundër COVID-19”, thuhet në njoftimin e BIK-ut.

Që nuk do të hapen xhamitë, ditë më parë ka bërë të ditur edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Ai ka thënë se grumbullimi i njerëzve në çfarëdo rrethane përbën rrezik për shëndetin e qytetarëve, duke bërë të qartë se xhamitë do të jenë të mbyllura edhe gjatë festës së Fitër Bajramit.



Ndërsa, ka kërkuar edhe njëherë nga të gjithë qytetarët të respektojnë rekomandimet e IKSHPK-së dhe masat e vendosura nga MSh-ja.

Por, ata që më së shumti duhet të kenë kujdes dhe të evitojnë grumbullimin e njerëzve në këto ditë feste janë Policia e Kosovës, të cilët gjithmonë duhet të jenë të gatshëm të vendosin rend dhe rregull e sidomos në këtë kohë të pandemisë.

Por, cili është plani i Policisë së Kosovë në ditën e festës së Fitër Bajramit.

LEXO EDHE:
Ish-gjyqtari i Kushtetueses: Vendi nuk mund të shkojë në zgjedhje vetëm pse kërkon një parti

Në një përgjigje për Insajderin, në Policinë e Kosovës pa dashur të japin më shumë detaje se si do të veprojnë, kanë thënë se do të vazhdojnë me realizimin e përgjegjësive të tyre.

“Policia e Kosovës bazuar në urdhërin operativ që ka në implementim do të vazhdoj në realizimin e përgjegjësive dhe detyrave të saja edhe ditëve në vazhdim”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Ndërsa, të pyetur se cili është plani i tyre për këtë ditë dhe se a kanë marrë ndonjë kërkesë specifike nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Bashkësia Islame e Kosovës, në Polici nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje.

Por, për dallim nga Kosova disa shtete për festën e Bajramit, kanë ndryshuar orën policore.

Maqedonia e Veriut, ka marrë vendim që të dalohet lëvizja e të gjithë qytetarëve në gjithë territorin e shtetit duke filluar nga e diela, 24 maj, në ora 11:00, deri të martën, 26 maj, ora 05:00.

Një vendim të tillë e ka marrë edhe Turqia, duke filluar që nga sot për katër ditë vendi do të jetë në izolim të plotë.