Lajme

“Evropës nuk ia ka fajin Erdogani”

Publicistja nga qyteti Elbasan i Shqipërisë, Anisa Bahiti, ka komentuar rreth tensioneve të fundit mes Turqisë dhe vendeve të Bashkimit Evropian (BE), transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një shkrim të publikuar në rrjete sociale me titull “Evropës nuk ia ka fajin Erdoğan-i”, Bahiti shkruan se prej disa kohësh ka filluar një histeri e madhe “anti Erdoğan” në Evropë dhe në mediat e saj.

“Akuzohet për gjithçka të ndodhur; nga Libia në Jemen, nga Mesdheu në Armeni, nga Siria në Greqi, nga Qipro në Liban, e nga Holanda në Francë. Çdo dështim i brendshëm ose i jashtëm Evropian i faturohet Erdoğan-it. Niset një kriminel nga Tunizia kalon dhe strehohet nga autoritetet në Itali, shkon dhe vret disa njerëz të pafajshëm në Nice, Francë, prapë debati publik është: ‘Erdogani dhe panislamizni i tij'”, është shprehur gazetarja Bahiti.

“Por si është e vërteta? Në 18-të vjet Erdoğan-i e ka transformuar Turqinë nga një vend në krizë të thellë në një nga 10-të fuqitë më të mëdha botërore, ekonomike dhe politike”, shtoi Bahiti.

Ajo thotë se presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka përmirësuar me dhjetra herë më shumë jeten e turqve dhe i ka dhënë jete, shpresë e biznes rinisë turke.

“Ai ka vendosur autoritetin ushtarak, politik e strategjik të Turqisë aty ku i takon. Turqia është fuqia më e madhe rajonale në Mesdheun Jugor dhe Detin e Zi. Ajo është kthyer në një superfuqi ekonomike, turistike dhe ushtarake. Megjithatë në diskurin politik të vendeve të BE-së, çdo dështim të tyre të brendshëm ia faturojnë “fuqisë” së Erdoğan-it. Kjo ndodh me Holandën, me Gjermaninë, Francën, Greqinë, Italinë etj”, thekson Bahiti.

“Kaq e paarsyeshme është kjo situatë sa që dhe ata që nuk përkrahin Erdoğan-in, apo dhe qasjen e tij doktrinare, fetare kur sheh që çdo kurth apo dështim i faturohet atij, i vjen të mendojë a mos është koha që BE-ja, e cila me zor mori 1 milionë emigrant’ gjatë periudhës 2014-2015, ndërkohë që Turqia ka 5 milionë të tillë në shtetin e vetë prej vitesh, fajin ta shohë te vetja dhe jo tek ‘Turqia e Erdoğan-it?!”, përfundon publicistja Bahiti.