Lajme

Eksperti britanik jep lajmin e mirë: Ja përse nuk do ketë valë të dytë të Covid-19

Eksperti i Oxford-it, Carl Heneghan shprehet i bindur se nuk po përjetojmë valën e dytë të koronavirusit pasi rritja e rasteve vjen si pasojë e personave më të shumtë që po testohen.

Ai tha se masat drastike, të tilla si bllokimi i të gjithë vendit, nuk duhet të përsëriten më.

“Aktualisht nuk ka asnjë valë të dytë. Ajo që po shohim është një rritje e mprehtë e numrit të njerëzve të shëndetshëm që mbajnë virusin, por nuk shfaqin asnjë simptomë. Pothuajse të gjithë ata janë të rinj. Ata po dalin në pah sepse së fundmi ekziston një sistem gjithëpërfshirës i gjurmimit të rasteve”, tha ai.

Prof. Heneghan tha se qeveria tani duhet të dërgojë një mesazh të qartë se rreziku i kapjes së koronavirusit është i ulët.

Ai shtoi se shoqëria britanike, por jo vetëm, duhet të ruajë distancën dhe qytetarët të tregohen vigjilentë.

“Ne duhet të sigurohemi tani që është e sigurt që të rikthehemi në shkolla, të rikthehemi në punë. Distancimi shoqëror, larja e duarve, kanë një efekt të rëndësishëm në infeksionet e frymëmarrjes dhe nuk bëhet fjalë vetëm për koronavirusin, por edhe për patogjenë të tjerë të frymëmarrjes”, u shpreh eksperti.

Shifrat nga Zyra për Statistikat Kombëtare këtë javë zbuluan se shanset për të kapur COVID-19 në Angli janë rreth 44 në një milion në ditë dhe shkencëtarët kanë thënë se vendi mund të kthehet në normalitet.