Lajme

Ehat Miftaraj: Albin Kurtit s’i lejohet të kandidojë në zgjedhje

Njohësi i çështjeve juridike, Ehat Mitaraj, ka thënë se me aktgjykimin e sotëm të plotë të Gjykatës Kushtetuese, u ndalohet të gjithë atyre që janë të dënuar në tri vitet e fundit me vendim të formës së prerë, të kandidojnë për postin e deputetit. Me këtë vendim, sipas tij, preket edhe lideri i VV-së, Albin Kurti, të cilit Apeli ia ka vërtetuar dënimin me kusht në verën e vitit 2018. Pra, ende nuk kanë kaluar 3 vjet.

Miftaraj tha se aktgjykimi i sotëm vetëm sa ka konfirmuar atë që ka thënë Kushtetuesja në vendimin e parë për këtë rast, më 21 dhjetor.

“Me këtë aktgjykim, Kushtetuesja ka rikonfirmuar atë që është thënë në vendim e parë, se të gjithë të dënuarit në tri vitet e fundit me vendim të formës së prerë nuk do të mund të kandidojnë për deputetë, përfshirë edhe Kurtin”, ka thënë Miftaraj për Kohën.

Ky aktgjykim i Kushtetueses, vjen si rezultat e kërkesës së VV-së për vlefshmërinë e votës së deputetit Etem Arifi, i cili mundësoi ngritjen e Qeverisë Hoti.

Kushtetuesja shpalli të pavlefshme votën e Arifit, kësisoj edhe rrëzoi Qeverinë Hoti dhe obligoi ushtruesen e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, që të shpallë zgjedhjet.

Arifi ishte i dënuar me burgim efektiv prej 1 vjet e 3 muaj në kohën kur kandidoi dhe fitoi në zgjedhjet e 6 nëntorit 2019. Ai është dënuar për “mashtrim me subvencione”, por kjo nuk e kishte penguar të gjendej në listat zgjedhore.

Zgjedhjet duhet të mbahen më së largu 40 ditë nga dita kur ato i shpall Osmani.


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?