Lajme

Egjipti konfiskon anijen “Ever Given”, do dëmshpërblim marramendës për ta liruar

Autoritetet egjiptiane e kanë konfiskuar anijen “Ever Given”, e cila e bllokoi Kanalin e Suezit për gati një javë muajin e kaluar, për shkak të mosmarrëveshjes rreth pagimit të dëmeve.

Një gjykatë egjiptiane e urdhëroi pronarin japonez të anijes, Shoei Kisen Kaisha, që t’i paguajë 900 milionë dollarë dëmshpërblim për shkak të humbjeve të shkaktuara nga bllokimi i trafikut ujor në kanal, shkruan CNN, transmeton Gazeta Express.

Në gjobën e lartë përfshihen edhe shpenzimet e mirëmbajtjes dhe kostoja e operacionit të zhbllokimit të anijes, raportuan mediet lokale.

Anija “Ever Given” u zhbllokua me sukses më 29 mars dhe më pas u dërgua për t’u inspektuar që të vlerësohet nëse është në gjendje të mirë për ta vazhduar lundrimin dhe për t’iu bërë riparimet e nevojshme.

Kompania e sigurimeve që e kishte siguruar anijen gjigante ka thënë se i është përgjigjur kërkesës së Autoritetit të Kanalit të Suezit për dëmshpërblimin prej 916 milionë dollarësh, por e ka vënë në pikëpyetje bazën e tij.

“Pavarësisht shkallës së pretendimit, që ka qenë shumë i pambështetur, pronarët dhe siguruesit janë duke biseduar në mirëbesim me Autoritetin e Kanalit të Suezit. Më 12 prill, një ofertë e shqyrtuar me kujdes dhe zemërgjerë i është bërë këtij autoriteti për ta zgjidhur çështjen”, thuhet në deklaratën e kompanisë.

Mbi 400 anijeve iu pamundësua kalimi, kur anija “Ever Given” e bllokoi kanalin më 23 mars. Autoritetet egjiptiane janë duke i hetuar shkaqet që sollën deri te bllokimi i pazakontë.