Lajme

Edi Rama befason me fjalet rreth njohjes së Kosovës nga Serbia

Kryeministri Edi Rama i ftuar përmes një lidhje “Skype” në televizionin francez “France 24”, komentoi nismën “Ballkani i Hapur”.

Ai tha se kjo nismë nuk parashikon kufizime dhe është e hapur për të gjithë, e qëllimi është përmirësimi i jetës të qytetarëve. Po ashtu, ai shtoi se konfliktet e mëparshme mes shteteve të Ballkanit janë ata që nuk po e çojnë përpara këtë proces.

Këtu përmendi edhe Kosovën, e tha se ajo është shtet i pavarur dhe sovran e duhet të njihet nga Serbia si e tillë. Rruga sipas kreut të qeverisë shqiptare është ajo e ndjekur nga Franca me Gjermaninë, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Gazetarja: Një pyetje e shpejtë për bashkëpunimin tuaj rajonal. Ballkani ishte për një kohë të gjatë fuçi baruti, ai ishte vendi ku ka patur një luftë të përgjakshme pikërisht mes anëtarëve të ish-Jugosllavisë.

Ju realisht keni bërë thirrje për një Ballkan të hapur, një mini-shengen për të lehtësuar lëvizjen e mallrave midis Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, heqjen e kufijve prej vitit 2023.

Por tre vendet e tjera të Ballkanit nuk mund të bashkohen për shkak të këtyre tensioneve etnike mes myslimanëve dhe të krishterëve….

Rama:
Së pari, në nismën “Ballkani i Hapur” dera është e hapur për të gjithë vendet e Ballkanit pa parakushte, por ideja është të mos mbetemi viktimë e vetos së dikujt, një apo një tjetri, që nuk duan atë apo atë. Ne duam të bëjmë diçka të rëndësishme për njerëzit, për rajonin. A është një proces i vështirë?

Po, është shumë i vështirë. Nuk është i lehtë, sepse në të njëjtën kohë është një proces paqeje.

Ne ende nuk kemi paqe përfundimtare në Ballkan, sepse ka ende problem për t’u zgjidhur dhe veçanërisht problemi mes Serbisë dhe Kosovës që është një shtet i pavarur, Sovran dhe që duhet të njihet nga Serbia.

Por në të njëjtën kohë ka mësime për t’u nxjerrë nga historia. Le të citojmë, meqë po flasim frëngjisht, Francën, që na jep një shembull të jashtëzakonshëm. Ajo që bëri Franca me Gjermaninë pas Luftës së Dytë Botërore është rruga.