Lajme

E tmerrshme: Burrat vazhdojnë të arsyetojnë vrasjen e grave – komente shqetësuese për vrasjen e 35-vjeçares

*KUJDES: Fjalët e mëposhtme nuk duhet të lexohen nga audiencat minorene (poshtë moshës 18 vjeçare)

Vetëm një javë pas vrasjes se një gruaje në moshën 60-vjeçare nga bashkëshorti i saj, Kosova sonte u trondit nga një vrasje tjetër makabre e një 35-vjeçareje shtatzënë.

Vrasja që ndodhi para repartit të Gjinekologjisë në Prishtinë rreth orës 18:00, është dënuar nga shumë persona, megjithatë, fatkeqësisht janë vënë rë edhe shumë e shumë të tjerë – përgjithësisht burra – që në një formë a tjetër kanë aluduar mbi rastin për të cilin ende nuk ka shumë detaje, e ajo që është më shqetësuese, në mënyra të ndryshme e kanë arsyetuar vrasjen e gruas dhe fëmijës së saj.

Nga Nacionale kemi kontaktuar me disa nga këta persona, ku fatkeqësisht përgjigjet që morëm ishin sa shqetësuese aq edhe të pështira për t’i thënë.

“Ndoshta e ka mbajt kopilin në bark ajo grua, është moment që nuk mundesh me kontrollu veten”, ishte një nga komentet më të tmerrshme që në hasëm, e që tregon shumë për një pjesë të madhe të shoqërisë sonë. Nacionale menjëherë ka kontaktuar me autorin e këtij komenti dhe për fat të keq, ky person konfirmoi edhe njëherë atë që e tha publikisht.

“Pretendova se e ka mbajt në bark kopilin e huaj, mendova se mirë ka vepru”, tha zotëriu, ku duke e arsyetuar këtë mendim, shtoi se nëse, “vrasja ka ndodhur për arsye tjera, ndjej keqardhje.”

Një koment nga ky burrë, që të lë pa koment. Por, ky nuk ishte i vetmi – një person tjetër, referuar grave tha se, “është nxitëse, e nxit njerin me bo të padëshirueshmen”, prapë një përgjigje që në një mënyrë a tjetër fajin e vë mbi viktimën dhe jo autorin.

Këto janë vetëm dy personat nga të cilët morëm përgjigje, por në rastin e tmerrshëm të vrasjes së gruas bashkë më fëmijën e saj të palindur, reagime të tilla ka pasur pa fund.

Aludime për tradhëti, me anë të së cilës edhe arsyetohet vrasja kanë dhënë shumë e shumë persona.

“Punë tradhtie është ktu”, “Krejt k****t i ka kap panik”, “Kërkush se vran kërkon pa e lyp”, “Prej qefi se ka shkrep”, janë vetëm disa nga komentet e shumta që po qarkullojnë në rrjetet sociale.

Kjo në fakt nuk është hera e parë që pas çdo vrasjeje të një gruaje, ka dhjetëra burra (nëse jo qindra) që arsyetojnë vrasjen e saj.