Lajme

E rëndë: Rrëfimi i gruas, bëra si e vdekur që të mos më fuste sërish nën rrota

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e të dielës në njësinë Guri Zi në Shkodër.

Një 50-vjeçar, Hilë Simoni është arrestuar nga policia e Shkodrës pasi akuzohet se ka futur nën makinë një fqinjë të tij, Katrina Hilën 54-vjeçe.

50-vjeçari pasi i ka shtypur të dy këmbët e ka lënë për rreth një orë të gjymtuar gruan duke tentuar ti nxjerrë edhe sytë.

Katrina Hila ndodhet nën kujdesin mjekësor pasi ka pësuar dëmtime të shumta fizike ndërsa ABC News ka siguruar dëshminë e saj në të cilën tregon se si ka filluar dhe zhvilluar gjithë ngjarja.

Gruaja tregon gjithë skenën e dhunës dhe momentet e tmerrit, kur për të shpëtuar nga duart e 50-vjeçarit duhet të bënte sikur kishte vdekur.

Unë jam Katrina Hila. E kena pas konfliktin për një punë gardhi. Edhe e shoqja e ka çu peshë të shoqin tërë kohën. Më ka gjuatur me gurë disa herë, por ia kam fal tërë kohën. Të shtunën ka dalë më ka thënë:”Do të rrah, do të mbys me gjithë familje”.

Pastaj u nisa me shku në kishë. 50 metër prej shtëpisë së vetë më ka zënë, ka marrë makinën me shpejtësi edhe e ka ndalu, e pava që erdhi me shpejtësi.

Kam pas një shufër hekuri nja 50 centimentra , e kam mbajtur sepse kam pas frikë se do më rrahi. I lëshova rrugën dhe I thashë: “ Ec more zotëri shko në punën tënde!”

Ma bëri me dorë, ec drejt. E pa që nuk eca drejt , ai ka marrë kthesën edhe më ka marrë me turi (turinjtë e makinës) edhe dy këmbët mi ka zënë nën makinë. Kam ndenjur gati një orë e gjysmë nën makinë. Është ul prej makine dhe më ka kap për sysh për të më qërruar sytë.

Jam mbrojtur vetë prej syve dhe fillova të bërtas me të madhe : “Më mbyte more, më mbyte.” Pastaj bëra demek se jam tuj vdek, edhe thashë ishalla po më lëshon.

Ai u çu prej aty edhe më ka kap në grushta e shkelma edhe ka ik. I bëra zë një komshie: “ N’qofshi për mu, hajde më ndihmoni.”

I kam thënë lajmëro shefin ( policinë). Ka njoftu shefin, ka ardh shefi, kanë ardh me më nxjerr, por s’kanë mund se kam qenë nën makinë.Pastaj kanë thirr edhe vinçin, kanë ardh më kanë nxjerr me vinç ata që kanë lëviz makinën.

Më kanë pru në spital, kjo ka qenë puna ime. Më ka paralajmëruar gjithë kohën se do më mbysë me tërë familjen. S’kam çfarë them tjetër, të dy këmbët I kam të thyera. Se di ça bën zoti, por ishalla drejtësia, din vetë e bën vetë!”, tregon ajo për ABC News.

Policia deklaroi se Hilë Simoni e përplasi qëllimisht me mjetin e tij tip “Mitsubishi” gruan duke i thyer këmbët, më pas ajo u dërgua për ndihmë mjeksore më të specializuar në Spitalin Traumës Tiranë, dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Simoni është arrestuar në tentativë për t’u larguar.