E rëndë: Fëmijët e rrëmbyer ukrainas ‘porositen’ në internet, Rusia i shfaq si produkte në një katalog online për ‘birësim’ të detyruar

Rusia ka ngritur një sistem tronditës për birësimin e detyruar të fëmijëve ukrainas të deportuar, duke përdorur një katalog online ku të miturit paraqiten si produkte në një treg virtual. Sipas raportimeve të organizatës “Save Ukraine”, ky katalog është krijuar nga autoritetet e instaluara nga Rusia në rajonin e pushtuar të Luhanskut, duke përfshirë 294 fëmijë ukrainas.

Fëmijët kategorizohen sipas moshës, gjinisë, ngjyrës së syve dhe flokëve, ndërsa përshkrimet i promovojnë ata për “tipare të dëshirueshme” si “të disiplinuar”, “të sjellshëm ndaj të rriturve”, “jo konfliktualë” dhe “të bindur”. Përdoruesit e kësaj platforme mund të filtrojnë kërkimet sipas formës së kujdestarisë: birësim apo kujdes familjar.

Autoritetet ruse i përshkruajnë fëmijët si “jetimë dhe pa kujdes prindëror”, ndërkohë që shumë prej tyre kanë lindur në Ukrainë dhe kanë shtetësi ukrainase. “Prindërit e disa prej tyre janë vrarë nga pushtuesit, të tjerëve u janë dhënë dokumente ruse për të legjitimuar rrëmbimin e tyre”, tha Mykola Kuleba, kreu i organizatës “Save Ukraine”.

Ai paralajmëroi se platforma e re rrit rrezikun e shfrytëzimit seksual, trafikimit të qenieve njerëzore, birësimeve të paligjshme dhe trafikimit të organeve. “Kjo është një formë e trafikimit të fëmijëve e sponsorizuar nga shteti”, deklaroi ai, duke shtuar se Rusia tashmë as nuk përpiqet ta fshehë këtë praktikë. “Një fëmijë mund të ‘porositet’ në internet, t’i ndërrohet mbiemri, të marrë pasaportë ruse dhe t’i nënshtrohet trajnimit ideologjik me një klikim të vetëm.”

Deportime masive dhe manipulime ligjore

Ukraina ka arritur të verifikojë mbi 19,500 raste deportimi të fëmijëve nga Rusia, ndërsa vlerësimet e pavarura nga Laboratori i Yale flasin për rreth 35,000 fëmijë, dhe Rusia ka pranuar një shifër deri në 700,000.

Vetëm 1,350 fëmijë janë kthyer në Ukrainë, kryesisht falë ndërmjetësimit të vendeve si Katari, Afrika e Jugut dhe Vatikani.

Instituti për Studimin e Luftës (ISW) në SHBA ka publikuar dokumente të Kremlinit të datës 18 shkurt 2022 që vërtetojnë se rrëmbimi i fëmijëve ukrainas ishte një prioritet i Presidentit rus Vladimir Putin, i maskuar si “evakuim humanitar” nga territoret e pushtuara.

Fëmijët – çështje kyçe në negociatat për paqe

Gjatë bisedimeve në Stamboll, delegacioni ukrainas i dorëzoi Rusisë një listë me 339 fëmijë të rrëmbyer, duke e bërë kthimin e tyre një kërkesë thelbësore për çdo marrëveshje të ardhshme paqeje.

Rustem Umerov, kreu i delegacionit ukrainas, theksoi se “nëse Rusia është sinqerisht e përkushtuar ndaj paqes, kthimi i fëmijëve është hapi minimal që duhet të ndërmarrë.”

Në anën tjetër, përfaqësuesi i Kremlinit, Vladimir Medinsky, e minimizoi çështjen, duke e quajtur atë “një shfaqje për të prekur emocionalisht europianët”.

Megjithatë, burime diplomatike cituar nga Euronews thonë se Rusia e di me saktësi vendndodhjen e çdo fëmije në listën e dorëzuar nga Kievi.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME