Lajme

E moshuara serbe u varros nga prifti orthodoks, Jovanoviç përgënjeshtron Ahmetin, e ky thotë mos t’ia humbim meritat BIK’ut!

Asambleistja e Komunës së Graçanicës nga Lista Serbe, Snezana Jovanovic, ka thënë se ajo e ka organizuar varrimin e të moshuarës serbe, R.Z., e cila ndërroi jetë në Shtëpinë e të Moshuarve në Prishtinë.

Jovanoviq për Klan Kosovën ka deklaruar se Shpend Ahmeti, kryetari i Komunës së Prishtinës, nuk e ka organizuar varrimin e të ndjerës

“Unë e organizova varrimin e R.Z. së bashku me priftin e Prishtinës, Stanis Arsiç. Radmila Zaric (1940-2020) jetonte në Drenas, ajo ka lindur në Mal të Zi, ditët e fundit të saj i kaloi në një shtëpi për të moshuarit në Prishtinë”.

“Ajo ka ndërruar jetë në Shtëpinë e të Moshuarve dhe unë organizova varrimin me priftin Stanis Arsic dhe jo Shpend Ahmeti”.
Jovanoviq ka theksuar se është turpshme nga ana e Shpend Ahmetit të gënjejë për këtë rast.

“Pas varrimit të Radmila Zariq, në profilin e tij në Facebook, Shpend Ahmeti njoftoi se Komuna e Prishtinës organizoi varrimin pa praninë e priftërinjve, e cila është një e pavërtetë absolute”.

“Është shumë e turpshme dhe e vrazhdët që kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, është duke gënjyer dhe po mbledh pikë politike me vdekjen e një gruaje serbe”, ka thënë ajo.

Ndërsa, Ahmeti gjatë ditës së djeshme me anë të një postimi në rrjetin social Facebook ka thënë se varrimi nuk është kredit për askënd dhe as akuzë për dikë.

“Shtëpia e Pleqve e ka thirre BIK-un dhe ata ne, pastaj e kemi thirr Komunën e Graçanicës ku personalisht është marr një zyrtare por si qytetare, në këtë rast ka ndihmuar edhe OSBE-ja. BIK-u e ka dërguar arkivolin, e kanë transportuar deri tek varrezat ortodokse bashkë me krejt çka është kërkuar”.

“Ideja ka qene me ta falënderojë Bashkësinë Islame që nuk janë marrë me elemente fetare dhe gjëra të tilla, por vetëm kanë ndihmuar. Për neve si Komunë është përgjegjësi. Për BIK është edhe vullnet edhe thirrje për harmoni. Për tu aplauduar toleranca”.

“Publikimi im ishte thirrje për mirëkuptim e jo për inat. Prandaj, le të jetë komuna e Prishtinës apo Graçanicës, e le të jetë edhe Kisha Ortodokse organizatorja. Por mos ja humbni veprimin e mirë BIK-ut”, ka shkruar Ahmeti.