Lajme

“E di pse po më thërrisni…” – BE-ja alarmohet për vendimin e Qeverisë

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiç ka thënë se BE-ja është alarmuar nga mediat në Serbi për vendimin e Qeverisë së Kosovës, e cila sot ka ngritur taksën ndaj produkteve serbe në 100 për qind.



E kontaktuar nga Insajderi, zëdhënësja për Ballkan e Frederica Mogherinit, Kocijançiç ka thënë se BE-ja është alarmuar nga vendimi i Qeverisë së Kosovës.

“E di pse po më thërrisni, dhe jeni media e parë nga Kosova”, ka thënë Kocijançiç.

“Ne po përgatisnim një deklaratë e cila do të dalë shumë shpejt”, ka thënë Kocijançiç për Insajderin.

Qeveria e Kosovës sot e ndryshoi vendimin e 6 nëntorit te Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI) e cila vendosi masë mbrojtëse 10% për produktet e importuara me origjinë nga Serbia e Bosnja e Hercegovina. “Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe obligohen institucionet ta zbatojnë menjëherë”, tha kryeministri Ramush Haradinaj pas aprovimit të vendimit në qeveri.



Ishte ministri i Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Endrit Shala, gjatë mbledhjes propozoi ndërrimin e masës nga 10, në 100 për qind për produktet që vijnë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.