Lajme

E dhimbshme/ Punëtori që ra nga lartësia në Prishtinë në rrezik për jetë, rezulton pozitiv edhe me Covid-19

Punëtori që është lënduar në vendin e punës më 24 gusht në Prishtinë, është në rrezik për jetë. I njëjti po ashtu ka dalë pozitiv në testin për COVID-19, shkruan Gazeta Sinjali.

Lajmin e ka bërë të ditur për Gazetën Sinjali, doktori në qendrën e Mjekimit Intensiv ku po trajtohen pacientët me koronavirus, Naim Kuqi, i cili njoftoi se gjendja e pacientit është shumë e rëndë.

“Para dy orëve e kemi pranuar pacientin, i cili është në gjendje të rëndë. Ai dje e ka marrë rezultatin pozitiv të testit për koronavirus. Gjendjen e ka shumë të rëndë për shkak të lëndimeve dhe është në rrezik për jetë. Tek ne ka ardhur sot rreth orës 18:00, deri dje ka qenë në Mjekimin Intensiv Qëndror”, ka thënë Kuqi për Gazetën Sinjali.

Kuqi po ashtu njoftoi se pacienti për momentin është në respirator.

“Është një politraumë shumë e madhe, i ka të gjitha organet e prekura. Ka shumë lëndime e thyrje. Kurse për momentin është në respirator”, ka thënë tutje Kuqi.

Ndërkaq Policia e Kosovës në raportin 24 orësh të ditës së djeshme ka njoftuar se rasti po cilësohet si “Asgjësim dhe dëmtim – heqje e pajisjeve mbrojtëse në vendin e punës”.

“Është raportuar se viktima mashkull kosovar është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor, pasi që i njëjti derisa ishte duke punuar në një vend –punishte (kompani ndërtimi) është rrëzuar dhe ka pësuar lëndime trupore. Në lidhje me rastin është intervistuar pronari i kompanisë i dyshuari mashkull kosovar dhe me vendim të prokurorit rasti vazhdon n procedurë të rregullt”, thuhet në raport.

Gazeta Sinjali ka raportuar për këtë rast më 24 gusht pas informacioneve të dërguara nga sinjalizuesit, se personi që ka rënë nga ndërtesa ishte duke punuar në vendin e tij të punës.