Lajme

E dhimbshme: Nëna e thrriste djalin, e godiste derën… por djaloshi shqiptar kishte vdekur

Nëna që godiste me grushte një derë të mbyllur. Ulërinte emrin e të birit… por djali i vdiq…

Një i ri vetëm 19 vjeç, Aldo, vdiq pasi u ndje keq ndërkohë që ishte në shkollë.

Osvaldo K. ishte me origjinë shqiptare, por prej vitesh jetonte në Macari, San Vito Lo Capo, në provincën e Trapanit.  

Sipas të dhënave të deritanishme, të publikuara nga mediat italiane, i riu nisi të ndihej keq papritur, me dhimbje koke e kraharori. Pavarësisht përpjekjeve për ta shpëtuar, 19-vjeçari vdiq vetëm pak kohë pasi kishte mbërritur në urgjencë.

Për ngjarjen, Prokuroria e Trapanit ka nisur një hetim, me qëllim sqarimin e plotë të shkaqeve që çuan në vdekjen e të riut. Ditët në vijim pritet që të kryhet autopsia mbi trupin e 19-vjeçarit.

Drejtoresha e shkollës ku studionte i riu, në një postim në rrjetet sociale mbrëmjen e së enjtes shkruajti:“Dhimbja ime nuk është vetëm e imja, por e një komuniteti të tërë shkollor, komunitetit tim… sot Alberghiero di Erice humb një prej studentëve më premtues, një djalë me shumë ëndrra të shndërruara në projekte, një jetë plot me miq, afeksion… një djalë me sy të ëmbël dhe një buzëqeshje rrezëllitëse. I dashur sepse ishte i mirë… Nuk gjej dot fjalët e duhura për të përshkruar atë momentin kur dëgjova nënën e tij pas asaj dere në urgjencë, ulërimat e dëshpëruara të një nëne që kërkon djalin e saj… pikërisht një djalë, një mik kemi humbur sot të gjithë”.

Ndërsa kreu i komunës së San Vito Lo Capo shkruajti:“Aldo ishte një djalë i dashur nga të gjithë, i integruar në mënyrë perfekte në komunitetin e Macari, ku jetonte prej disa vitesh me familjen e tij dhe ku gjatë verës punonte si kamarier”./tvklan.al