Lajme

Dreshaj: Ikja e mjekëve trend shqetësues për Kosovën, por nuk mund të presim paga si ato në Gjermani

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së, profesor Shemsedin Dreshaj, në një intervistë dhënë emisionit “A23” në ATV, tha se është shqetësues numri i ikjes së mjekëve nga vendi dhe, sipas tij, nëse vazhdon një trend si është duke ndodhur tani, perspektiva në shëndetësinë kosovare nuk do të jetë e mirë, transmeton atvlive.tv.

“Nëse vazhdon një trend i këtillë çfarë e kemi aktualisht, do të thotë vetëm në 36 ditët e para të këtij viti, 35 mjekë e lëshuan Kosovën, pra i bie diku mesatarja një mjek në ditë, ndërsa që të prodhojmë një mjek na nevojitën gjashtë vjet, atëherë vërtetë perspektiva nuk është e mirë”, tha Dreshaj.

LEXO EDHE:  Jeta Xharra kritikon Hovenierin pas takimit të sotëm: Totalisht i njëanshëm veç ndaj Kosovës

Ai tha se paga e ulët është njëra nga shkaktarët e ikjes së mjekëve nga vendi, por ka edhe probleme të tjera, si limitimi i kujdestarive të paguara.

“Njëra prej shkaqeve është edhe paga, mirëpo, unë do t’ju them diçka, nëse dikush e ka në plan të ikë nga Kosova, ti nuk mund ta ndalësh për pagë. Do të jetë iluzore që të presim që të ardhurat tona të jenë më të mëdha sa ato që fitojnë në Gjermani. Aktualisht, pagat që i kanë mjekët në specializim, mjekët e rinj dhe specialistët, nuk janë paga të cilat duhet të neglizhohen. Vërtetë deri tash me këtë Ligj të ri, paga e mjekut ka qenë mizerje, nuk ka qenë askund. Sot, paga e mjekut është diçka e përmirësuar, nuk mendoj që është më e mira e mundshme. Mendoj që ky Ligj duhet ta bëjë lejimin e kujdestarive të paguara e jo të bëjë limitimin e kujdestarive të paguara”, tha Dreshaj.

Si pasojë e limitimit të kujdestarive të paguara, Dreshaj thotë se shëndetësia kosovare mund të vijë në një pikë ku do të jetë problem organizimi i shërbimit 24 orësh. /atvlive.tv

LEXO EDHE:  Tensionet në veri, Kurti sot takon Borrellin e Lajçakun