Lajme

Drejtori i Policisë thotë se ligji obligon të ndiqet djali i Shpend Maxhunit

Drejtori aktual i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj ka thënë se pa marrë parasysh pronësinë, ligji obligon që të ndiqet personi të cilit i është zënë arma.

Rinor Maxhuni, i riu i afërm me familjen e shefit të AKI-së, Shpend Maxhuni, sipas informatave të Kohës Ditore, nuk ka qenë fare në veturën që vozitej nga Shpëtim Maxhuni në natën kur në atë veturë janë zënë substancë narkotike e armë pa leje.

Atë natë djali i shefit të AKI-së, Shpëtimi, sipas informatave të gazetës, ishte me një shok, i cili ka pranuar pronësinë e drogës dhe të mullirit për bluarjen e saj. Rinor Maxhuni nuk është inkriminuar fare.

Megjithatë, pas disa ditësh Rinor Maxhuni është paraqitur në Policinë e Kosovës me “vetiniciativë”.

Ka pranuar se arma e gjendur në veturën që vozitej nga kushëriri i tij, Shpëtimi, ishte e tij. Ka thënë se e ka harruar aty. Përsipër e ka marrë edhe pronësinë e xhaketës. Siç ka raportuar gazeta, arma pa leje është gjetur në xhepin e xhaketës së Shpëtimit.

Por për shefin e Policisë, Rashit Qalaj, nuk ka fare rëndësi se kush është deklaruar pronar i asaj arme.

Sipas tij, është obligim të ndiqet personi që i zihet arma pa leje, pa marrë parasysh pronësinë, e që në këtë rast i bie të ndiqet Shpëtim Maxhuni.


SHIKO EDHE: 7 SIMPTOMAT QË JU TREGOJNË NËSE KENI COVID-19