Lajme

“Do të fillojmë me ashpërsimin e zbatimit të masave!”

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj paralajmëroi ashpërsim të masave për shkak të numrit në rritje të rasteve me CoVID-19 dhe mosrespektimin e masave nga qytetarët.

“Kur e kam marrë mandatin si ministër i Shëndetësisë, në kohën kur ka filluar lehtësimi i masave, kam qenë i vetëdijshëm se do të ketë rritje të rasteve me Covid-19. Kam qenë i vetëdijshëm edhe për presionin nga dikastere të ndryshme për hapje. Është krejt ndryshe të menaxhohet pandemia në mbyllje totale, e krejt tjetër kur ke ekonominë në hapje. Por, kemi qenë të vendosur që ta ruajmë shëndetin publik, por paralelisht edhe atë ekonomik e mental. Në vazhdimësi kam bashkëpunuar me ekspertët shëndetësorë dhe institucionet përkatëse dhe bazuar në rekomandimet e tyre, kam ndërmarrë masat për menaxhimin e pandemisë”, shkroi Zemaj në Facebook.

Ai tha se pavarësisht masave që u morën, në ditët e fundit ato nuk janë respektuar.

“Derisa Bashkësia Islame e Kosovës ka respektuar masat, për çfarë e falënderoj, në sektorin e gastronomisë dhe nga shumica e qytetarëve ato nuk u respektuan. Mbrëmë, unë vetë isha dëshmitar në terren, por gjithashtu kam marrë mijëra mesazhe nga qytetarët e shqetësuar. Prandaj, nga sot në koordinim me Policinë, AVUK-in dhe Prokurorinë e Shtetit, konform legjislacionit, do të fillojmë me ashpërsimin e zbatimit të masave!”, potencoi ai.

Sipas tij, krahas masave që do të merren menjëherë, po punohet në lehtësimin e funksionimit të sistemit shëndetësor, me riorganizimin e ambulancave specialistike dhe me krijimin e një spitali portativ vetëm për pacientët me COVID-19, pasi jemi të vetëdijshëm se me ngarkimin e QKUK-së po rritet mundësia e infektimit me COVID-19 edhe e pacientëve që janë aty për trajtime të tjera.

Gjithashtu, ai tha se nga kjo javë do të shtohet numri i inspektorëve në terren, duke rritur kështu mundësinë për zbatimin strikt të masave të caktuara.

Ndërsa nga e hëna do të fillojë licencimi i spitaleve private për realizimin e testeve serologjike dhe atyre molekulare!/Objektiv/


SHIKO EDHE: 7 SIMPTOMAT QË JU TREGOJNË NËSE KENI COVID-19