Lajme

Dhjetëra mjekë specialist të papunë kërcënojnë me protesta

Dhjetëra specialistë të mjekësisë i kanë dërguar një letër ministrit të Shëndetësisë, Uran Ismaili dhe drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës(SHSKUK), Basri Sejdiu, nga të cilët kërkojnë të shpallin konkurs për punësim, pasi që, siç thuhet në këtë letër pas përfundimit të specializimit po qëndrojnë të papunë në shtëpi, raporton GazetaBlic.



Sipas kësaj kërkese që e posedon portali GazetaBlic, specialistët e mjekësisë më 18 dhjetor 2018 u janë drejtuar me një letër Ismailit dhe Sejdiut, ku bëhet e ditur se janë një numër i madh i mjekëve specialistë që kanë përfunduar studimet në lëmitë e ndryshme specialistike, shumicës prej të cilëve specializimin ua ka financuar Ministria e Shëndetësisë, përderisa me muaj apo edhe vite të tëra po presin shpalljen e konkursit publik për punësim nga Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës(SHSKUK).

Mediet kanë raportuar më herët se janë rreth 200 mjekë specialistë të papunë në Kosovë.

‘Besojmë se jeni të vetëdijshëm se sa mund dhe sakrificë nevojitet për t’i përfunduar studimet specialistike, ku përpos 6 viteve studime bazike në Fakultetin e Mjekësisë, nevojiten edhe 4 deri në 6 vite të tjera për ta përfunduar shkollimin specialistik.

Pas gjithë këtij shkollimi superior, përkatësisht 10 deri në 12 vite, varsisht nga drejtimi i studimeve, mund edhe ta imagjinoni se çfarë ndjenje është qëndrimi në shtëpi dhe pritja për një kohë të gjatë e shpalljes së konkursit publik për punësim?!’, thuhet mes tjerash në këtë letër që e posedon GazetaBlic.



Përndryshe, nga Oda e Mjekëve të Kosovës është bërë e ditur se janë rreth 400 mjekë dhe infermierë që kanë emigruar në Gjermani, ku ka kërkesa të mëdha për punësim dhe njëkohësisht pagat janë shumëfish më të larta.

Por, këta specialistë janë të vendosur që të vazhdojnë ta japin kontributin në sistemin publik shëndetësor të Kosovës.

‘Ne jemi të vendosur që të vazhdojmë ta japim kontributin tonë në sistemin e shëndetësisë së vendit, prandaj kërkojmë nga ju që t’i merrni masat e nevojshme dhe ta parandaloni emigrimin e mjekëve nga Kosova në vendet e ndryshme të Evropës, kryesisht në Gjermani, ku ka mundësi të shumëta për punësim, madje edhe me paga shumëfish më të larta se këtu’, thuhet mes tjerash në këtë letër.