Deri kur pritet të vazhdojnë reshjet e borës në Kosovë?
Të martën, Kosova është mbuluar me borë si pasojë e reshjeve të dendura të botës në të gjitha qytetet e vendit.
Moti i ngjashëm pritet të vazhdojë se paku edhe dy ditët e ardhshme.
Sipas AccuWeather, mot me borë pritet të ketë edhe të mërkurën dhe të enjtën.
Të premtën dhe gjatë vikendit, pritet të ketë reshje shiu, por do të ketë ngritje të temperaturave.
Policia e Kosovës ka bërë apel për kujdes të shtuar gjatë ngasjes në rrugë me ngrica.
“Edhe pse jemi në stinën e pranverës dhe shumica e automjeteve në qarkullim mund të jenë me goma të verës, pas paralajmërimit se këtë javë gjatë natës dhe në orët e hershme të mëngjesit do të mbizotëroj mot me temperatura të ulëta (reshje të shiut, në lokacione të ndryshme mundësi për reshje bore, rrjedhje të ujit në rrugë e po ashtu edhe dëmtim i asfaltit dhe krijim i gropave), kërkohet nga shoferët që të shtohet kujdesi gjatë qarkullimit në rrugë, ku me rënien e temperaturave krijohen ngrica që rrezikojnë seriozisht pjesëmarrësit në trafik”, thuhet në njoftim.
Policia e Kosovës bazuar në kushtet meteorologjike apelon për kujdes dhe jep këto këshilla:
Përqendrohuni maksimalisht gjatë drejtimit të mjetit!
Mbani distancën e sigurt në mes mjeteve!
Përdorni rripin e sigurisë!
Respektoni kufizimet e shpejtësisë konform kushteve atmosferike të krijuara!
Mos përdorni telefoni mobil gjatë ngasjes!
Mos kryeni parakalime të ndaluara apo mos bëni manovra me mjet në rrugë!.
Tags: apel, Bore, Policia, rruge