Deputetja e PDK’së kritikon Kurtin e Vitinë: A nuk patët kohë këto vendime t’i merrni më herët?
Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu Shoshi është treguar kritike ndaj vendimit të sotëm të kryeministrit në detyrë Albin Kurti dhe ministrit në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia.
Deputetja e PDK-së thotë se këta të dy duhej që këtë vendim ta merrnin ditën e djeshme ose të premten, për arsyen se si ka mundësi që çerdhet dhe kopshtet të përgatiten kaq shpejtë për të filluar puna e tyre ditën e nesërme.
Postimi i plotë:
Sapo u dhanë dy njoftime të rëndësishme nga Kryeministri dhe Ministri në detyrë i Shëndetësisë.
Çerdhet e kopshtet për fëmijët nga mosha 0-5 vjeç do të ri-hapen nga dita e nesërme dhe po ashtu stafi i plotë do të kthehet në vendet e tyre të punës.
A nuk patën kohë z. Kurti dhe z. Vitia të kujdesen që ky vendim të merret ditën e djeshme ose ditën e premte?!
Le të na tregojnë se si ka mundësi që çerdhet dhe kopshtet të përgatiten kaq shpejtë për të filluar puna e tyre ditën e nesërme?!
Le të na tregojnë se si ka mundësi që shumë nëna të cilat janë punëtore në sektorin publik dhe privat të përgatiten kur kanë kaq pak kohë?