Lajme

Deputeti i LDK-së thotë se punëtorët mund të largohen nga Kosova: Statistikat janë marramendëse

Anëtari i Komisionit për Punë nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova, ka thënë se Inspektoriati i Punës i cili monitoron dhe duhet të marr masat adekuate për ata që shkelin ligjin në punë, ka rënë nga provimi pasi do duhej ta kryenin me seriozitet detyrën e tyre.

Në debatin televiziv në Info Magazine, Naser Rugova theksoi tutje se duhet vetëdijesim maksimal edhe nga ana e punëtorëve por edhe punëdhënësve që të respektojnë por dhe të raportojnë rastet e shkeljeve të të drejtave.

”Pas rastit të fundit me urgjencë kemi ftuar kryeinspektorin, dhe kemi pasur një bashkëbisedim me të, ku së pari kemi dëgjuar informatat për statistikat për shkallën e ligjeve. Kemi dhënë vërejtjen dhe kritikat tona. Nuk kemi arritur të gjejmë ende një formulë që do të mbulonte një faktor kaq të rrezikshëm”.

”Kemi ngritur shumë shqetësime, madje edhe kontratat e këtyre punëtorëve. Dikur kemi pasur një Institut të Mjekësisë së Punës, sepse këta punëtorë kanë nevojë të kontrollohen. Secili punëtorë dikur kishte edhe librezën e kontrollave, por, tani jo”.

”Apeloj publikisht që këta njerëz që janë të thirrur për këtë çështje që të mundësojnë një adresë profesionale institucionale ku punëtorët kanë ku të drejtohen. Duhet një vetëdijesim i përgjithshëm tek punëmarrësit dhe punëdhënësit. Ministri Reçica duket se ka qenë bukur aktiv”.

Më tej deputeti nga radhët e LDK-së ka thënë se duhet vetëdijesim tek të gjithë, për shkak se sipas tij punëdhënësi do të mund të ketë mungesë të punëtorëve. Thotë se sipas statistikave numër marramendës i tyre janë larguar nga vendi.

”Duhet vetëdijesim tek të gjithë, përndryshe do të ballafaqohen këta punëdhënës me mungesë të punëtorëve. Sepse kemi statistika marramendëse që punëtorët kanë lëshuar vendin e tyre të punës dhe janë larguar jashtë vendit”.

”Jeta është më e shtrenjtë sesa të gjitha kushtet dhe udhëzimet administrative. Është e ditur botërisht që në sektorin publik, mbi gjysma e tyre punojnë në tregun informal”, ka deklaruar ai.


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?