Lajme

Deputeti Ferat Shala takon dy njerëz të veçantë, të cilët lanë gjithçka dhe iu bashkuan luftës së UÇK’së

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK’së, Ferat Shala, sot kishte një takim me Aziz dhe Osman Islamin, dy vëllëzër me të cilët i lidh shumëçka gjatë luftës së UÇK’së kundër okupatorit serb, shkruan Korrespodenti.

Përmes një postimi në faqen e tij zyrtare në facebook, deputeti Shala tregon se vëllezërit Aziz dhe Osman Islami i ka njohur në kohëra shumë të vështira, atëherë kur njeriu vlerësohej jo për nga fama dhe pasuria, por për nga nderi, besa e burrnia.

“Në memorien time Aziz Islamin e kam të shënjuar si njërin nga profesorët e mi të hershëm – prej atyre profesorëve të cilëve autoriteti u qëndronte çdo herë si hije aureole. Kur e kam parë për herë të parë tek u jepte forma artistike gurëve dhe drurëve të Murgës, atëherë e kam kuptuar se artistët si Aziz Islami figurave të tyre në të vërtetë u jepnin dhe nga një pjesë të shpirtit të tyre. Kur plasën pushkët e lirisë, Profesor Azizi la Akademinë e Arteve, la dhe atelienë, doli luftëtar”, thotë deputeti Shala.

Më poshtë po ju sjellim statusin e plotë të deputetit Ferat Shala:

Aziz dhe Osman Islami janë dy vëllezër, të cilët për shumëçka në botën tonë janë të veçantë. Ata i kam njohur në kohëra shumë të vështira, atëherë kur njeriu vlerësohej jo për nga fama dhe pasuria, por për nga nderi, besa e burrnia. Në memorien time Aziz Islamin e kam të shënjuar si njërin nga profesorët e mi të hershëm – prej atyre profesorëve të cilëve autoriteti u qëndronte çdo herë si hije aureole. Kur e kam parë për herë të parë tek u jepte forma artistike gurëve dhe drurëve të Murgës, atëherë e kam kuptuar se artistët si Aziz Islami figurave të tyre në të vërtetë u jepnin dhe nga një pjesë të shpirtit të tyre. Kur plasën pushkët e lirisë, Profesor Azizi la Akademinë e Arteve, la dhe atelienë, doli luftëtar. Ne ishim shumë të lumtur që në mesin tonë kishim dhe një luftëtar – profesor si Aziz Islami. Atelienë me skulptura në Murgë ia dogjën flakët e luftës, por nga hiri i tyre u ndërtua liria jonë.

Edhe tregimi për të vëllanë e Azizit – Osmanin, është i veçantë, siç është i veçantë vet Osmani. Burrërinë dhe trimërinë e tij gjithmonë e kam admiruar. Kam shumë kujtime lufte me Osmanin, si njëri prej luftëtarëve më të zotë që pati Drenica. Gjatë gjithë luftës ai kurrë nuk diti t’ia kthej shpinën armikut, luftoi siç kishin luftuar shokët e tij të istikameve, Mujë Krasniqi e Fehmi Lladrovci. Osmani nuk u ligështua as në dhjetorin e akullt të vitit 1998, kur në Drenicë erdhi për ta sjell mandatën e rënies së 41 shokëve tanë në krye me komandant Mujë Krasniqin. Ende e kam parasysh çastin kur ma dha atë letër të bardhë që ndrynte brenda saj zinë për 41 luftëtarët e rënë në Pashtrik. Ndoshta unë edhe do të jem ligështuar atë çast, por mbaj mend se Osman Islami jo. Në zemrën e tij kishte vend edhe për dhembjet tona.


SHIKO EDHE: Si do të duket jeta pas COVID-19?