Lajme

DASH për ‘Open Balkan’: E mbështesim. Bashkëpunimi më i ngushtë i vendeve do të tërheqë investime në energji, banka e prodhim

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë mbështetëse të nismave gjithëpërfshirëse të bazuara në rregulloret e BE-së që fuqizojnë ekonomitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe çojnë ato më afër Evropës.

Këto komente i ka dhënë një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit, në një përgjigje për Gazetën Online Reporteri.net, të pyetur rreth iniciativës për “Ballkanin e Hapur”.

Duke folur për “Open Balkan”, nga DASH theksojnë se SHBA-ja i mbështet këto nisa dhe të tjera plotësuese që thellojnë bashkëpunimin ekonomik rajonal dhe avancojnë vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën Evropiane.

“Iniciativat rajonale të fuqishme dhe gjithëpërfshirëse të bazuara në rregullat dhe rregulloret e BE-së janë themelore për të fuqizuar ekonomitë e Ballkanit Perëndimor dhe për ta çuar rajonin më afër Evropës. Shtetet e Bashkuara i mbështesin këto dhe nisma të tjera plotësuese, të cilat kolektivisht thellojnë bashkëpunimin ekonomik rajonal dhe avancojnë rrugën evropiane”, thuhet në përgjigjen e një zëdhënësit të DASH-it.

“Bashkëpunimi më i ngushtë dhe më i integruar në të gjithë Ballkanin Perëndimor do të tërheqë investime në energji, banka, prodhim, shërbime dhe sektorë të tjerë në një treg prej 20 milionë punëtorësh dhe klientësh të arsimuar në zemër të Evropës”, thotë tutje deklarata e zëdhënësit të DASH për Gazetën Online Reporteri.net.

Ndryshe, në kuadër të “Open Balkan”, të mërkurën, në Ohër të Maqedonisë së Veriut është mbajtur samtimi i radhës i kësaj iniciative. Në këtë takim të pranishëm ishin liderët e 5 vendeve të Ballkanit Perëndimor, me përjashtim të Kosovës e cila vazhdon ta refuzojë këtë nismë.

Shqipërinë në samit e përfaqësoi Kryeministri Edi Rama, Serbinë presidenti Aleksandar Vuçiq, Maqedoninë e Veriut Kryeministri Dimitar Kovaçevski, sikurse Malin e Zi kryeministri Dritan Abazoviq, derisa Bosnja dhe Hercegovina u përfaqësua nga Kryetari i Këshillit të Ministrave Zoran Tageltija.

Gjatë samtimit në Ohër, përmes video-lidhjes u paraqit edhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili dha mbështetjen e SHBA-ve për iniciativën e “Ballkanit të Hapur”.

“Ne besojmë se në mënyrë që kjo iniciativë të jetë e suksesshme duhet të jetë e hapur për të gjithë. Çdo iniciativë për zhvillim ekonomik duhet t’i përfshijë të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor në një trajtim të barabartë”, deklaroi Escobar.

“Unë sinqerisht ju inkurajoj që kjo iniciativë të mbetet ekonomike. Nuk është një projekt politik. Është një projekt i rëndësishëm ekonomik. Nëse e mbani si iniciativë ekonomike ju do të keni më shumë mbështetje”, tha ai.

Por ndryshe nga emisari i Biden për Ballkanin Perëndimor që Ballkanin e Hapur nuk e sheh si projekt politik por ekonomik, iniciativën po e sheh Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili thotë se nuk i beson këtij projekti që tashmë po mbështetet edhe nga SHBA-ja, aleati kryesor i Kosovës.

“Nuk besojmë në vetëmjaftueshmërinë e Ballkanit, Ballkani nuk përbëhet vetëm nga 6 shtete në përgjithësi. Ballkani Perëndimor ende i paintegruar në BE përbëhet nga 6 shtete me ç’rast këto s’mund të trajtohen bashkë, sepse kemi shtete që nuk e kanë dënuar dhe s’kanë vënë sanksione ndaj Rusisë. Ka shtete në Ballkanin Perëndimor që janë në anën e Ukrainës, dhe kemi shtete si puna e fqinjit tonë verior që është në anën e federatës ruse dhe presidentit despotik të saj. Për të pasur Ballkan të Hapur, është Serbia ajo që duhet të hapet ndaj Kosovës”, tha Kurti të enjten në Prishtinë, një ditë pas samitit në Ohër.

Kosova është i vetmi shtet, nga 6 sosh të Ballkanit Perëndimor, që vazhdon ta kundërshtojë iniciativën “Open Balkan” dhe të mos marrin pjesë në takimet e saj. Madje kur vjen puna për ta kundërshtuar këtë iniciativë, njerëz të afërt e me pushtet të liderëve shtetëror të Kosovës, Kryeministrit Albin Kurti dhe Presidentes Vjosa Osmani, e citojnë dhe promovojnë edhe propagandën ruse në lidhje me “Open Balkan” që shpërndahet nëpërmjet deklarimeve të ministrit të Jashtëm të Putinit, Sergey Lavrov.

Njëjtë, nga të njëjtit nuk ndodhë me deklarimet e emisarit të Biden, Gabiel Escobar. Ndonëse, Kryeministri Kurti i jep mbështetje vetëm pjesës së qëndrimit të tij se “Open Balkan” duhet të plotësohet nga 6 vende te Ballkanit Perëndimor.

“E mbështesim qëndrimin amerikan se s’mund të ketë Ballkan të Hapur të themeluar si iniciativë përderisa s’janë 6 shtete. Është mirë një herë të shikohet a janë të 6 shtetet. Të mos e mundojnë as veten e tyre, sepse nëse nuk janë 6 shtetet nuk ka Ballkan të Hapur”, tha Kurti të enjten. /Reporteri.net/


SHIKO EDHE: 10 teknologjitë e lashta për të cilat shkenca ende nuk ka përgjigje