Lajme

Darka e Kadri Veselit me verë Italiane e ushqime deti kushton 255 euro

Darka e Kadri Veselit e datës 30 tetor i ka kushtuar arkës së shtetit 255 euro.



Restoranti i peshkut ‘Vela’ ka pasur mysafir deri në mesnatë kreun e kuvendit.

Fatura e lëshuar në orën 23:39 përmban kryesisht ushqime deti, por ka edhe alkool.

Peshk dental në vlerë 51 euro, levrek deti 40 euro dhe vërë italiane ‘primitivo di manduria’, e cila kushton 45 euro, janë gati gjysma e faturës së kësaj darke.

Vec kësaj, në faturë ka edhe raki dardhe në vlerë 5 euro.


Një tjetër pjatë e kësaj darkë është ‘Linguine datteri e pomodorini’, që janë pasta me fruta deti, e cila kushton 12 euro.

Kallamari në zgarë 10 euro e 50 cent, karkalec zgare 27 euro e 50 cent, koc zgare 24 euro janë tri pjata tjera me ushqime deti.

Tavolinës i janë shtuar krudo mix 9 euro dhe 9 euro spa peshku, si dhe sallatë më fruta deti 5 euro e 50 cent.

Në këtë darkë janë pirë edhe 16 euro ujë rugove. Në total darka e datës 30 tetor i ka kushtuar arkës së shtetit 255 euro.

BIRN do të publikojë faturat e Kryeparlamentarit, Kadri Veseli dhe kabinetit të tij për një vit, që nga shtatori 2017 deri në fund të shtatorit të këtij viti.