Lajme

Dardan Gashi i Listës “Ibrahim Rugova” kalon në NISMA

Ministri në largim i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, ka konfirmuar se tashmë është bërë pjesë e partisë së Fatmir Limajt, NISMA Socialdemokrate.

Në ditën kur NISMA ka nënshkruar marrëveshje për koalicion parazgjedhorë me ish-partinë e Gashit, AKR-në, ministri në largim ka thënë se aderimi i tij në partinë e Fatmir Limajt ka mbetur vetëm hap formal.
“Po, unë jam pjesë e Nismës. Aderimi është një hap formal por unë jam bërë pjesë e Nismës”, citohet t’i ketë thënë Gashi.
Dardan Gashi, gjatë mandatit të ministrit të Diasporës, është dënuar nga një gjykatë në Kosovë për gjuaje me armë. Rasti kishte ndodhur pikërisht në oden e shefit të tij të ri të partisë Fatmir Limaj, kur ky i fundit ishte liruar nga një aktakuzë për korrupsion.

Por, përveç Gashit, e njëjta gjykatë, për të njëjtin veprim e ka dënuar edhe tashmë bashkëpartiakun e tij Endrit Shalën – ministër në largim i Tregtisë, shkruan Reporteri.net.
Vendimin dënues ndaj Gashit dhe Shalës, të degës në Malishevë të Gjykatës Themelore të Gjakovës, para më pak se një muaji e ka vërtetuar edhe Gjykata e Apelit e Kosovës.
Sipas aktgjykimit, Gashit i është vërtetuar dënimi me 1700 Euro gjobë, ndërsa Endrit Shalës i është vërtetuar dënimi po ashtu me gjobë prej 2400 euro.

Përveç tyre, për të njëjtin rast u dënua dhe ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku me 1700 euro gjobë, sikurse edhe tre të akuzuarit e tjerë, Behar Amerllahu, Fadil Demiri si dhe Sherif Krasniqi.
Aktakuza kundër tyre ishte ngritur pas një video të publikuar në media në fund të vitit 2017. Aty shiheshin, të dënuarit, duke shtënë me armë, në festën që kryetari i NISMA-s Fatmir Limaj kishte organizuar në Malishevë pasi Gjykata Themelore në Prishtinë kishte nxjerrë aktgjykim lirues ndaj tij në rastin e njohur si “MTPT”.
Në këtë video shiheshin ministrat në largim, tash të dy zyrtarë të NISMA-s, Dardan Gashi dhe Endrit Shala duke gjuajtur me armë nga dritarja e odës ku mbahej festa. /Reporteri.net/.


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?