Dalin rezultatet për koronavirus të familjarëve të 17-vjeçares së vdekur në Pejë
Familjarët e vajzës 17-vjeçare që u gjet e vdekur në dhomën e shtëpisë së fqinjit të saj në Vitomericë të Pejës, kanë rezultuar negativ, pasi janë testuar për koronavirus.
Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Sinjali, prokurori i rastit, Haxhi Sinanaj.
“Po, familjarët e viktimës në Vitomiricë kanë dalë negativ’, ka thënë Sinanaj shkurtimisht për Gazetën Sinjali.
Prokurori i rastit Haxhi Sinanaj është në vetizolim pasi një koleg i tij në prokurorinë e Pejës ka rezultuar pozitiv me koronavirus.
“Ne kemi me u testu sepse ka dalë një koleg me koronavirus, disa që kanë pasur kontakt me të janë testuar dje, tetë persona. Ne të tjerët duke përfshirë prokurorë dhe stafin administrativ besoj të hënën ose të martën testohemi”, ka thënë ai.
Vajza 17-vjeçare që u gjet e vdekur në dhomën e shtëpisë së fqinjit të saj së bashku me 58-vjeçarin, kishte rezultuar pozitiv në testin e parë për koronavirus, ndërsa viktima ka rezultuar negativ në testin e dytë për COVID-19.
Këtë e ka konfirmuar po ashtu prokurori i rastit Haxhi Sinanaj.
Pasditen e së shtunës, 17-vjeçarja dhe një 58-vjeçar u gjetën të vdekur së bashku pranë një revole e dy gëzhojave plumbash në dhomën e shtëpisë së këtij të fundit në Vitomiricë të Pejës.