Lajme

Daka: Nuk ka zgjedhje veresi

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, nuk ka filluar ende asnjë procedure për përgatitjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme të cilat do të mbahen më 6 tetor të këtij viti.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka është shprehur e shqetësuar për mos ndarjen e mjeteve financiare na ana e Qeverisë së Kosovës, për organizimin e zgjedhjeve, shkruan Sinjali.

Në një intervistë për RTK-në, Daka thotë se pavarësisht kërkesës që i kanë dërguar Qeverisë për ndarjen e mjeteve në vlerë prej afër 6 milionë eurosh, Qeveria ende nuk i është përgjigjur kësaj kërkese.

Daka ka thënë se përderisa nuk janë ndarë mjetet nuk mund të fillohet me përgatitjen e zgjedhjeve. E vonesat për ndarjen e këtyre mjeteve, sipas kryetares së KQZ-së, mund të ndikojnë direkt në kualitetin e procesit zgjedhor.

Për më tepër, Daka ka bërë të ditur se sot do të duhej të nisnin një pjesë e procedurave tenderuese të parapara në planin për organizimin e zgjedhjeve, por që sipas saj, asgjë nuk mund të nis pasi siç është shprehur ajo, ‘nuk ka zgjedhje veresi’.

Pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt, nga posti i kryeministrit për shkak të ftesës nga Gjykata Speciale, deputetet me 89 vota kanë shpërndarë Kuvendin e Kosovës duke dërguat vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka caktuar 6 tetorin si datën kur do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme.