Lajme

Covid-19 nuk fal askënd, ndërron jetë mjeku i dytë shqiptar

Ne jemi mësuar të listojmë vetëm të prekurit dhe viktimat e shqiptarëve brenda kufijve shtetërorë, por në fakt ka shumë e shumë bashkombas tanët, që e kanë pësuar nga virusi i friukshëm, që kur filloi pandemia botërore, afër mesit të marsit. Para pak ditësh, në Spitalin Infektiv u shënua edhe viktima e bardhë nga bluzat e bardha, mjeku hematolog Arjan Pushi.

Sot ka ndërruar jetë edhe një tjetër mjek shqiptar nga koronavirusi, por që jetonte në Maqedoninë e Veriut. Ka qenë vetë ministri i Shëndetësisë i fqinjit tonë juglindor, Venko Filipçe, ai që e ka dhënë lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të Arifikmet Deari, i cili ishte shtruar në spitalin e Shkupit për shkak të problemeve neurologjike prej 15 ditësh, më pas ka rezultuar pozitiv edhe me Covid-19:

“Mjeku Deari, i cili kishte vetëm edhe disa muaj deri në pension, është mjeku i parë që ka vdekur nga komplikimet e shkaktuara nga koronavirusi në Maqedoninë e Veriut. Shpreh keqardhjen time të thellë për familjen e tij. Iu bëj thirrje të gjithë punonjësve shëndetësorë që të ruhen dhe mbrohen në vendet e tyre të punës, bazuar te protokollet në fuqi, por edhe jashtë institucioneve shëndetësore. Iu bëjë thirrje edhe qytetarëve që të respektojnë masat, të mbrojnë veten e tyre, punonjësit shëndetësor dhe të gjithë të tjerët”.

Maqedonia e Veriut ka njoftuar sot edhe për shtatë viktima hga koronavirusi dhe 115 të infektuar në 24 orët e fundit. Që nga fillimi i pandemisë, në këtë vend janë prekur nga Covid-19 540 mjekë, ose 9 për qind e të gjithë të infektuarve me koronavirus. Nga testimi i 66,133 mostrave, të infektuar me koronavirus janë 6,932 persona, prej tyre 334 kanë ndërruar jetë, 3,611 janë ende aktivë, ndërsa 2,987 persona janë shëruar. Ky është bilanci total i pandemisë në fqinjin tonë juglindor, ku jetojnë shumë shqiptarë, si element shtetformues atje.


SHIKO EDHE: 10 teknologjitë e lashta për të cilat shkenca ende nuk ka përgjigje