Lajme

Çmimi “Podrimja” shkon te Sidrani në Sarajevë

Shkrimtari boshnjak, poeti dhe skenaristi i njohur, Abdulah Sidran, po qëndron në Kosovë. Ai është pritur sot në zyrën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Bashkë me Sidranin, në zyren e kryeministrit qëndroi edhe kryetari i bordit të Kolegjit AAB, Lulzim Tafa.

Tafa, përmes një postimi në profilin e tij në facebook, ka treguar se sot, Kolegji AAB, do t’i ndajë çmimin Ndërkombëtar për Letërsi dhe Art “Ali Podrimja”, shkrimtarit boshnjak Abdulah Sidran, njofton Korrespodenti.

“Bashkë me Poetët Halil Matoshi, Naime Beqiraj, Rrahman Paçarizi dhe Vlora Konushevci që ishim në Jurinë për dhënien e Çmimit Ndërkombëtar për Letërsi “ Ali Podrimja” njëzëri vendosëm që ky çmim për këtë vit t’i jepet Bardit të letërsisë boshnjake, njërit prej shkrimtarëve më të mëdhenj të gjallë të Ballkanit dhe Evropës, Poetit dhe Skenaristit Boshnjak Abdulla Sidran. Këtë çmim deri më tani e kanë marrë Shkrimtari i madh shqiptar Ismail Kadare, poeti i shquar Malazez Jevrem Berkoviq, kurse Abdullah Sidran është shkrimtar i tretë që laureohet me këtë çmim”, ka shkruar Tafa.

Më poshtë po ju sjellim postimin e plotë të Lulzim Tafës:

“Podrimja” shkon te Sidrani në Sarajevë

Bashkë me Poetët Halil Matoshi, Naime Beqiraj, Rrahman Paçarizi dhe Vlora Konushevci që ishim në Jurinë për dhënien e Çmimit Ndërkombëtar për Letërsi “ Ali Podrimja” njëzëri vendosëm që ky çmim për këtë vit t’i jepet Bardit të letërsisë boshnjake, njërit prej shkrimtarëve më të mëdhenj të gjallë të Ballkanit dhe Evropës, Poetit dhe Skenaristit Boshnjak Abdulla Sidran.

Këtë çmim deri më tani e kanë marrë Shkrimtari i madh shqiptar Ismail Kadare, poeti i shquar Malazez Jevrem Berkoviq, kurse Abdullah Sidran është shkrimtar i tretë që laureohet me këtë çmim.

Si pjesë e kësaj jurie pata një emocion të veçantë ngase edhe Ali Podrimja ( tani emër çmimi) edhe Abdulla Sidran janë miq të mi. Podrimja ka qenë redaktor i të gjithë librave të mi, që nga libri im i parë në fillim të viteve të nëntëdhjeta. Po ashtu shumë vite më parë , Abdullah Sidran duke shkruar parathënien e librit tim në gjuhën boshnjake” Vrazij Posao” më bëri shumë të njohur te lexuesi Boshnjak.

Sot bashke me Sidranin ishim në takim me Kryeministrin.

Kryeministri e kishte lexuar “Tabuti Sarajevas” të Sidranit.

Bosnja, Sarajeva e Srebrenica në kujtesën njerëzore do të mbahen mend shumë gjatë si imazhe të luftës e të tmerreve që shkakton lufta edhe përmes poezive të Sidranit e të poetëve të tjerë Boshnjakë.

Ceremonia e dhënies së çmimit ndërkombëtar “Ali Podrimja” do të mbahet sot në ora 20:00 në Teatrin “Faruk Begolli” në Kolegjin AAB.

Të gjithë ju miqtë e mi, Adhurues të letërsisë jeni të ftuar të merrni pjesë.