Lajme

Çka simbolizonte flamuri i Ibrahim Rugovës, e çka ky aktual?

Sot është shënuar 16 vjetori i vdekjes së presidentit të parë të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova.

Si themelues i partisë së parë në Kosovë, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe si prijës i shumë çështjeve kombëtare, një ndër ëndrrat e tij padyshim që ka qenë të shohë Kosovën si shtet të pavarur e demokratik, pas vuajtjeve që populli kosovar kaloi në luftën me Serbinë.

Por, në janarin e vitit 2006 ai ndërroi jetë duke lënë prapa edhe ëndrrat e tij. Në vitin 2001, ish presidenti Rugova kishte bërë edhe propozimin e tij se si duhet të jetë flamuri i Kosovës së pavarur.

Flamur ky që edhe sot quhet si “Flamuri i Dardanisë” e ndryshe edhe simbol për përkrahësit e Lidhjes Demokratike të Kosovës, sidomos në fushatat zgjedhore.

Shqiponja e zezë dykrenare, simbol kombëtar shqiptar – e përdorur në flamurin e Gjergj Kastriotit – Skënderbeu (1405 1468), pastaj në luftërat e lirisë së Kosovës kundër otomanëve (1878 1910 1912). Sfondi i kuq që ka flamuri simbolizon fuqinë, mburoja nënkuptonte karakterin mbretëror dardan.

Kurse yjet simbolizonin lëvizjen e diellit dhe lëvizjen e jetës, origjina e tyre është antike dardane. Pjesa e kuqe dhe e zezë simbolizonin flamurin kuq e zi. Ngjyra e bardhë ishte për simbolizimin e ngjyrës së plisit dhe veshjes së bardhë të Kosovës e shqiptarëve.

Ndërkaq në brezin e bardhë shkruhej “Dardania”, i cili ishte emri antik i Kosovës, që shpjegohet nga shqipja si “dardhë”, pra vendi i dardhave.

Një simbol tjetër që është marrë nga flamuri i Skënderbeut ka qenë ylli gjashtëcepësh, i cili ishte përdorur si simbol nga ilirët shqiptarët antikë dhe korrespondon me yjet e Mburojës.

Në anën tjetër, flamuri aktual u adoptua nga Kuvendi i Republikës së Kosovës menjëherë pas deklarimit të pavarësisë së shtetit më 17 shkurt 2008.

Ky flamur ka një sfond blu dhe ka të vendosur mbi të një hartë të Kosovës bashkë edhe gjashtë yje. Yjet zyrtarisht nënkuptojnë gjashtë grupimet kryesore etnike në Kosovë siq janë shqiptarët, turqit, serbët, gorani, boshnjakët dhe romët, pra, komunitetin romë, ashkali dhe egjiptas.


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?