Lajme

Çitaku ia thotë në sy Daçiqit lavdet që Vuçiqi ia bëri Millosheviqit nga Ujmani

Ambasadorja e Republikës së Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, e cila po përfaqëson Kosovën në sesionine sotëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ka përmendur vizitën e presidentit serb, Aleksander Vuçiq, në liqenin e Ujmanit.

Çitaku ka thënë se në vend se Vuçiq të dërgonte mesazhe paqeje nga ajo vizitë, ai ka thurur lavde për Sllobodan Millosheviqin, njërin prej shkaktarëve të një prej tragjedive më të mëdha në Ballkan.

Çitaku ka folur edhe për vizitën e presidentit Thaçi në Liqenin e Ujmanit, duke thënë se atë ditë nuk u shënua asnjë incident ashtu siç ka konfirmuar edhe KFOR-i.

Ajo ka thënë se për një vizitë të tillë, Thaçi nuk ka nevojë që ta pyes askënd dhe se mund të lëviz i lirshëm në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Ajo thotë se incidenti ishte shkaktuar një ditë pas nga strukturat paralele serbe të cilat veprojnë në veri, të cilat kanë hedhur bombë në lokalin e një personi i cili kishte shërbyer kafe për presidentin Thaçi dhe ekipin e tij në ditën kur ai e vizitoj Liqenin e Ujmanit.