Lajme

Cila parti politike ju është përgjigjur kryetarit të Prishtinës në thirrjen për koalicion, e zbulon Përparim Rama

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, nuk ka marrë ende ndonjë propozim nga partitë opozitare për koalicion të gjerë, pas ftesës publike që u bëri gjatë betimit të tij në Kuvendin Komunal.

Këtë e deklaroi Rama në ditën e dytë të tij si kryetar i Prishtinës, ku edhe priti për herë të parë në vizitë kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Sipas Ramës, ata janë ende në pritje.

“Ne u kemi bërë thirrje të gjitha partive politike, shoqërisë civile që të na bashkëngjiten në qeverisje. Deri më tani jemi duke pritur, e kemi stafin të koordinuar por jemi duke pritur nga partitë politike nëse kanë ndonjë propozim të tyre dhe kështu i shtyjmë procesit përpara që të krijojmë një koalicion të gjerë. Ende nuk kemi marrë ndonjë propozim por po presim”, ka thënë Rama për mediat.

Abdixhiku në këtë vizitë erdhi për t’i dhënë mbështetjen e plotë të LDK-së gjatë qeverisjes së Ramës.

Përveç këtij takimi, Rama që nga dita kur mori zyrtarisht postin e kryetarit ka zhvilluar takime me stafin e komunës, si dhe me kompanitë e ndryshme për mirëmbajtjen e kryeqytetit.


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?