Lajme

Buzhala: S’mundet me pasë islamofobi një vend me 95% myslimanë, klerikët manipulantë e sollën këtë

Dje u publikua edhe episodi 20 i Ditarit të Buzhalës.

Temë kryesore në këtë fraksion emisioni ishte shamia, çështje kjo e shumëpërfolur ditëve të fundit në vendin tonë, si shkak i një iniciative të një ish-këshilltari të kryeministrit aktual, për të ndryshuar udhëzimin administrativ, udhëzim ky që ua ndalon hyrjen në shkolla publike grave mbi moshën 16-vjeçare që gëzojnë shami.

Megjithatë, në këtë tekst do të shkoqisim pjesën ku autori kritikon frazën goxha të përdorur në vendin tonë: islamofobi.

Sipas Buzhalës, kjo është “non-sens”, sepse të jesh një vend me popullsi prej 95% myslimanë, nuk mund të jesh vend islamofob.

Këtë sipas tij e sollën disa klerikë manipulantë.

“Kënd e njihni ju? Ti? (i drejtohet kameramanit të parë?) Ti tjetri? (kameramanit të dytë). Kënd e njihni në lagje t’juaj atje, ku jeni shumica myslimanë, që janë qind për qind katundi myslimanë edhe thonë: “Valla jau kam inati, ose frikësohem prej islami”. Pra, krejt kjo është sjellë në vendin tonë nga disa klerikë manipulantë të cilët po duan ta politizojnë islamin. Është pak a shumë si të jetosh në Belgjikë edhe me thënë ka “krishterofobi”. Nuk mundet me pasë në Turqi islamofobi. Mundet me pasë politika shtetërore me… kontrollu islamin ose religjionin mos m’i pushtu institucionet”, tha fillimisht Buzhala.

Tutje gazetari vazhdoi me frazën se ai është edhe islamofob edhe krishterofob kur caqe të caktuara synojnë kapjen e institucioneve.

“Po, unë jam edhe krishterofob edhe islamofob kur është në pyetje për mos me lëshu rrënjë në institucione. Po nuk jam islamofob ose krishterofob kur religjioni mbahet brenda xhamisë ose kishës, ose brenda sinagogës. Këdo që e njihni që ju thotë islamofobi, ti veç i thu: kush o ka tutet këtu prej islamit? Ne që çohemi, edhe unë personalisht, që shkojmë me ble pitalka për syfyr ose iftar a? Qysh tutemi na prej islamit? Fobia o tutë. Islami është religjion, Kurti thotë në Vetëvendosje nuk do të ketë islamofobi. Tash, nën këtë e nën Vetëvendosjen nuk po e ndërrojnë këtë urdhëresë administrative”, vazhdoi ai.

Veç kësaj, Buzhala kritikoi Kurtin opozitar, që në një kohë fushate përmendi faktin se nuk do të lejohet stigmatizimi i islamit.

“Tha nuk do të stigmatizohet islami. Jo. Dëgjomë: Islamin nuk e ka stigmatizu kërrkush përveç segmenteve radikale të islamit. Nëse dikush arrin me ma bë dallimin, si me thënë, ato zgjatjet radikale të islamit, se ky është momenti (i referohet videos ku Kurti flet për islamin) kur kemi qenë duke folur për 200-300 vetë që kanë shku për ISIS. Kam fobi ndaj atyre. Secili prej qytetarëve normalë, të moderuar, që dojnë me jetu në një shtet sekular, ka fobi prej Lavdim Muhaxherit, i cili ka shku atje dhe e ka hedhë veten në ajër bashkë me ku me ditë sa tjerë që i kanë marrë familjet e veta atje… unë kam fobi ndaj secilit ekstremizëm religjioz, edhe ndaj atij islami, nëse ata thonë ne jemi islami, atëherë fobi ka edhe fqinji im mysliman, fobi kam edhe unë edhe gjithë shoqëria jonë”, shtoi më pas autori i emisionit.

Në fund fare, Berat Buzhala përmendi faktin fatlum që rënia e Kalifatit zbuti gjendjen edhe këtu.

“Pra, Kurti o ka manipulon me atë, o ka manipulon me kohën kur e përmendi shpesh, më shumë kemi dërguar ne ushtarë në ISIS sesa Shqipëria në UÇK. Më shumë jemi tregu ne të gatshëm që përmes disa hoxhallarëve që kanë qenë këtu, që i kanë taku rrymave esktreme vahabiste, kjo nuk është sekret, krejt e dimë. Por, kur ra atje Kalifati, shyqyr u zbut gjendja edhe këtu”, përfundoi Buzhala.

Në fillim të tekstit është pjesa e shtjelluar këtu, ndërsa më poshtë episodi i plotë.